Bota

PD ankimoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, Kolegji Zgjedhor mban seancë

Nga Gazeta ‘Si’- Kolegji Zgjedhor pritet të thotë ‘fjalën e fundit’ për betejën ligjore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Në orën 10:00, do të mbahet seanca për shqyrtimin e ankimimit të PD-së, e cila kërkoi mosnjohjen e rezultatit me pretendimin se procesi është shoqëruar me parregulli dhe shkelje të rënda ligjore.

Relatore e seancës do të jetë Lutfije Celami ndërsa anëtarët Entela Shedula, Alma Kodraliu, Ornela Naqellari dhe Enkel Peza.

Demokratët u shprehën kundër vendimit të Komisionit Rregullator më 28 gusht, që i vendosi ‘vulën’ procesit të 11 majit dhe certifikoi zgjedhjet që shpallën Edi Ramën fitues të 83 mandateve.

Sipas PD-së, këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave ndërkombëtare monitoruese, përfshirë OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, që nxori fituese Partinë Socialiste me 83 mandate, u shoqërua me një proces të gjatë ankimimesh nga opozitarët, duke vonuar për disa muaj certifikimin përfundimtar të rezultatit.

Madje, në disa prej qarqeve votat edhe u rinumëruan, por pa asnjë rezultat në favor të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë