Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj akuzoi Qeverinë se me disa vendime të paligjshme ka grabitur pronat e Forcave të Armatosura të vendosura në bregdet.
Sipas Xhaferajt mbi 67 për qind e territorit të pronave ushtarake në katër baza detare janë nxjerrë nga plani i përhapjes përmes aferave korruptive ndër vite. Ai akuzoi se vendimet janë ndërmarrë në kundërshtim me ligjin, duke anashkaluar Presidentin e Republikës, që është i vetmi autoritet që ka tagrin për të miratuar planin e përhapjes së ushtrisë në kohë paqeje.
“Janë 133 hektarë nga 200 hektarë që është sipërfaqja totale e katër bazave detare, Baza e Pashalimanit, Baza e Kepit të Palit, Baza e Shëngjinit dhe Baza e Palermos. Kjo sipërfaqe është nxjerrë nga plani i përhapjes në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e Presidentit”, tha Xhaferaj.
Deputeti thirri këtë të hënë një interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ministri i Mbrojtjes shmangu përgjegjësinë personale, por nuk përjashtoi përgjegjësinë institucionale.
“Nuk kam dhënë asnjë pronë të Forcave të Armatosura me qira, apo për privatizim që kur kam marrë detyrën. Para 2013-s janë privatizuar dhe hipotekuar prona brenda bazave të Forcave të Armatosura”, tha ai, duke iu referuar një rasti të denoncuar edhe në media në bazën detare të Shëngjinit.
Xhaferaj tha se përveç bazave detare, Qeveria ka dhënë me qira edhe pjesë të territorit të ushtrisë në bazën e Kuçovës, ku aktualisht është në fazë ndërtimi shndërimi i saj në bazë taktike të NATO-s.
Peleshi tha se prona në këtë bazë është dhënë me qira në 2014-n dhe se nuk ka qenë pjesë e planit të përhapjes së Forcave të Armatosura. Prona është marrë me qira nga një kompani me detyrimin kontraktor për të kryer investime. Aktualisht në këtë pronë nuk është kryer asnjë investim dhe Peleshi u shpreh se ka kërkuar pranë Ministrisë së Financave zgjidhjen e kësaj kontrate.
Xhaferaj konsideroi në shkelje edhe procedurat e ndjekura për të nxjerrë nga plani i përhapjes pronat e ushtrisë në bregdet.
“Studimin mbi planin e vendosjes dhe të përhapjes së Forcave të Armatosura e bën Shtabi i Përgjithshëm dhe Presidenti i Republikës e miraton me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Vendimi i fundit i Presidentit për planin e përhapjes është i vitit 2014”, tha ai.
Qeveria është akuzuar në mandatin e parë se për të shmangur Presidentin Bujar Nishani në atë kohë për planin e përhapjes së ushtrisë e ka kaluar atë përmes një truku administrativ, ku pronat e ushtrisë kanë marrë një emërtim të ri, por pa koordinata dhe janë klasifikuar si prona civile në inventarin e Këshillit të Ministrave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




