Politike

PD: Ahmetaj firmosi pas shkarkimit si zv-kryeministër, SPAK të nisë hetimet  

Kryetarja e Komisionit të Apelimit të ngritur në PD, Adriana Kalaja, tha përmes një deklarate për mediat se, “ish-Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka konsumuar vepër penale sepse ka firmosur VKM 3 ditë pas shkarkimit të tij”.

Kalaja përmendi si precedent ish Kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i dënuar për të njëjtën shkelje.

“Është bërë e modës, që Edi Rama jo vetëm që nuk firmos vetë, por i ruan Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) për pikun e verës.

Gjatë korrikut, ndryshe nga muajt e tjerë, kanë dalë shumë VKM dhe 14 prej tyre janë firmosur nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj më datë 27/7/ 2022. Do të thotë 3 ditë pas shkarkimit të tij.

Një nga 14 VKM-të që ka firmosur ish Zv. Kryeministri Ahmetaj është ai me Nr.512, më datë 27 korrik.

Së pari, duhet të sqarojmë publikun se nuk ka patur një mbledhje të Këshillit të Ministrave në këtë datë.

 Së dyti, VKM-ja e firmosur nga zoti Ahmetaj, duke mos pasur një tagër të tillë (pasi ishte i shkarkuar), jo vetëm është absolutisht i pavlefshëm nga pikëpamja civile, por është edhe konsumim i 2 veprave penale.

 Atyre të “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, parashikuar nga neni 249 i Kodit Penal”, citoi Kalaja. Për për këtë arsye, Kalaja i kërkoi SPAK që të nisë hetimet.

Në këto kushte, Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të veprojë menjëherë dhe të nisë hetimet për veprat penale të konsumuara nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë