Ekonomi

PBB për 2018 shënoi rritje prej 3.8 %

Sot INSTAT nxori raportin për produktin e brendshëm bruto për vitin 2018. Këto ishin vlerësimet finale për vitin 2017 dhe gjysëm-finale për 2018-ën.

Në vitin 2018 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë (në volum) prej 4,07 %, krahasuar me vitin 2017, pas një rritjeje prej 3,80 % në vitin 2017, krahasuar me vitin 2016.

Sipas të dhënave me baza vjetore, PBB me çmime korrente në vitin 2018 u vlerësua 1.635.715 milion lekë (12,8 miliardë Euro) dhe 1.550.645 milion lekë (11,6 miliardë Euro) për vitin 2017. PBB për frymë në vitin 2018 arriti 571 mijë lekë (ose 4.473 €) nga 540 mijë lekë (ose 4.023 €) që ishte në vitin 2017.

Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si “Industria gjithsej” me 1,77 pikë përqindje, “Tregtia,transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” me 0,71 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale, administrative dhe mbështetëse” me 0,42 pikë përqindje, “Ndërtimi” me 0,23 pikë përqindje, “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me 0,22 pikë përqindje, dhe “Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 0,18 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan respektivisht me 0,48 pikë përqindje.

Përsa i përket strukturës së PBB-së sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2018 vazhdojnë ta zënë Shërbimet gjithsej me 47,7 %, duke shënuar një rritje në terma realë me 2,86 %, Industria dhe Ndërtimi përbëjnë 21,3 % të PBB-së, të cilat u rritën në terma realë përkatësisht: Industria me 15,73 % dhe Ndërtimi me 2,49 %, Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 18,4 % të PBB dhe janë rritur me 1,18 % në terma realë.

Deflatori i PBB-së për vitin 2018 ishte 1,36 %.

Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, Konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, me 90,18 %. Ky komponent u rrit me 4,42 % në terma nominalë dhe 3,00 % në terma realë. Në strukturën e Konsumit Final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe me 78,10 %, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 11,29 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,79 %.

Në vitin 2018, Formimi bruto i kapitalit fiks, i cili përbën 23,49 % të PBB-së, u rrit me 2,53 % në terma nominalë dhe 2,39 % në terma realë, krahasuar me vitin 2017.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 5,56 %, në terma nominalë dhe me 4,10 % në terma realë, ndërkohë që Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,41 %, në terma nominalë dhe 2,40 % në terma realë, krahasuar me vitin 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë