Ekonomi

PBB-ja për frymë në Tiranë, sa 134% e mesatares së vendit. Rajoni qendror më i shtrenjti

Nga Gazeta ‘SI’ – Tirana rezulton qarku me PBB-në më të lartë për frymë në Shqipëri, sipas llogarive të Instat për vitin 2021. Me një vlerë prej 886 mijë lekë Tirana ka PBB-në për frymë 134% më të lartë se mesatarja e vendit. Kukësi vazhdon të jetë qarku me PBB-në më të ulët për frymë, me vetëm 395 mijë lekë, sa 59% e mesatares.  

Gjithsesi për të gjitha qarqet, PBB-ja për frymë nga 2020-a në 2021-shin ka pësuar rritje.

Sipas rajoneve, PBB-ja më e lartë për frymë rezulton të jetë në qendër, 795 mijë lekë, me rritje vjetore 14%. Në veri rezulton 525 mijë lekë me rritje 13.4% dhe në jug, 599 mijë lekë, me rritje 13%.

Për të gjithë vitin 2021, PBB-ja me çmimet korrente (vlera e të gjithë transaksioneve të kryera në një periudhë) rezultoi 1.856 mld lekë, me rritje vjetore 9%. Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2021, e ka dhënë qarku Tiranë me 5 pikë përqindje, ndjekur nga Durrësi me 1 pikë përqindje dhe Fieri me 0.7 pikë përqindje.

PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard – PPS) në vitin 2021 është 28.954 milionë PPS.

PBB për frymë në PPS për vitin 2021 për Shqipërinë është 31.73 % e mesatares së Bashkimit Europian. Sipas rajoneve statistikore, në rajonin qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2021 ishte 38.19 %, në rajonin veri 25.23 % dhe në rajonin jug 28.8%.

PPS është njësi monetare artificiale. Një PPS mund të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend. Megjithatë, dallimet e çmimeve midis vendeve do të thotë se shuma të ndryshme të njësive të monedhës kombëtare nevojiten për të njëjtat mallra dhe shërbime në varësi të vendit. Pra sa më shumë njësi PPS aq më shtrenjtë është.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë