Futboll

Pavel Nedved kritikohet nga aksionerët e Juventusit, presidenti Anjeli e mbron

Blerjet që nuk kanë përmbushur pritshmëritë, valsi i trajnerëve dhe zhgënjimet europiane. Të mësuar me tituj në Serinë A, aksionerët e vegjël të Juventusit (ortakë dhe tifozë) kanë kritikuar administrimin e bërë së fundi nga klubi gjatë asamblesë vjetore në “Allianz Stadium”.

Në shenjestrën e tyre ka qenë zëvendëspresidenti Pavel Nedved, edhe për shkak të disa sjelljeve në tribunë dhe në fushë gjatë ndeshjeve. Ish-lojtari i Juventusit është mbrojtur nga këto kritika dhe kur ka marrë fjalën, është shprehur: “Nuk mund të mbaja një rol kaq prestigjioz në klub vetëm se jam mik i presidentit, nuk besoj se pronarët do talejonin një gjë të tillë. Kam ndjerë përgjegjësitë e mia, madje shumë.

Nga samblea vjetore e Juventusit. Gazeta Si, 29 tetor 2021

Dëgjova kritika që janë të drejta për sjelljen time, por është pjesë e karakterit tim. Do të jap gjithmonë gjithçka për këtë klub, kam vepruar gjithmonë për të mirën e Juventusit dhe do ta bëj për sa kohë do të jem këtu. Të dëgjoj fjalët tuaja ndihem keq, por nuk do të ndryshoj kurrë, do të bëj punën time me personalitet dhe impenjim maksimal”.

Presidenti i bardhezinjve, Andrea Anjeli, e ka inkurajuar çekun, duke i dalë në mbrojtje: “Është një privilegj të kemi një person si Paveli në klubin tonë”, – tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë