Edhe pse e tërë vëmendja është te Kombëtarja Shqiptare dhe sfida ndaj Anglisë, Superiorja do të rikthehet në fushë më 3 prill për javën e 26-të. Padyshim në këtë javë, spikasin sfidat Vllaznia-Partizani dhe Teuta-Laçi. Dy përballje mes 4 pretendentëve kryesorë për titullin. Gjithashtu me interes është edhe sfida mes Kukësit dhe Skënderbeut, me të dyja skuadrat që e kanë detyrim fitoren.
Gjatë kësaj periudhe skuadrat kanë kohë në dispozicion për të rikuperuar futbollistët, energjitë por edhe për të larguar presionin. Më së shumti duket që kjo shkëputje e kampionatit u shërben ekipeve që nuk morën rezultatet e duhura në javën e fundit. Kukësi duket të kalojë momentin negativ pas humbjes me Bylisin dhe pauza mund ti vlejë trajnerit Mirel Josa për të rikuperuar si në aspektin fizik por edhe atë psikologjik. E njëjta situatë paraqitet edhe tek Partizani, që vjen nga barazimi me Teutën.
E njëjta gjë vlen edhe për ekipet e tjera, me Skënderbeun që shpreson të shfrytëzojë pauzën për t’u dhënë më shumë ngarkesë lojtarëve, ndërsa Memelli ka më shumë kohë për të njohur akoma më mirë kundërshtarët. Edhe Vllaznia ka nevojë për pak qetësi. Ndoshta skuadra e vetme që mund të ndihet e penalizuar nga kjo ndalesë është Laçi, pasi po kalonte një formë të jashtëzakonshme, çka e demonstron edhe renditja në kampionat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




