Shqipëria dhe Italia kanë tejkaluar pengesat burokratike dhe do të nënshkruajnë ditën e enjte rinovimin e marrëveshjes së konvertimit të lejeve të drejtimit të automjeteve, që ishte shndërruar në një pengesë për punësimin e shumë emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë përtej Adriatikut.
Lajmi është njoftuar nga ana e Kryeministrit Edi Rama, që thotë se ministrja e Jashtme Olta Xhaçka do të udhëtojë drejt Romës për nënshkrimin e marrëveshjes së re. Konvertimi i patentave u ngrit si shqetësim nga Rama gjatë vizitës së fundit në Bari, ku u takua me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
Rama e falenderon Di Maion dhe thotë se tashmë puna duhet të përqëndrohet tek çështja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë.
“Tani përpara për marrëveshjen për pensionet e shqiptarëve të Italisë, qytetarë shembullorë që nderojnë miqësinë dhe vëllazërinë mes Italisë e Shqipërisë, duke punuar fort dhe ndihmuar ekonominë italiane prej shumë vitesh”, shkruan Rama.
Marrëveshja e konvertimit të patentave mes Shqipërisë dhe Italisë kishte përfunduar që në fund të vitit 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.