Nga Gazeta ‘SI’ – Pasuritë e grupeve kriminale duket se po kthehen në një burim të qëndrueshëm për buxhetin e shtetit. Sipas raportit vjetor të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), gjatë vitit 2025 në buxhetin e shtetit u arkëtuan 11.8 milionë euro, kryesisht nga aktiviteti i konfiskimit, qiradhënies dhe shitjes së pasurive kriminale.
Vetëm nga interesat bankare janë realizuar 1.2 milionë euro, një rritje mbi 100% krahasuar me vitin 2024. Nga qiraja e pasurive janë arkëtuar 221.5 milionë lekë dhe nga shitja në ankand 4.8 milionë lekë, duke e çuar totalin e të ardhurave të AAPSK-së për vitin 2025 në 308.7 milionë lekë.
Gjatë vitit të kaluar, agjencia ka pasur në administrim 3.982 pasuri dhe prova materiale, nga të cilat 2.890 janë marrë në dorëzim. Pjesa tjetër shpesh ka shërbyer si vendstrehim për familjarët, ka të dhëna të pasakta kadastrale dhe ka vështirësi praktike në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Katër nga pasuritë janë kaluar në pronësi të shtetit, dy janë vënë në ripërdorim social, 32 mjete janë përdorur nga institucionet dhe 27 të tjera janë dhënë me qira, pasi janë ende objekt hetimi dhe nuk mund të destinohen përfundimisht.

Në 12 muajt e vitit 2025, AAPSK ka administruar 1.211 pasuri, me një vlerë totale mbi 6 miliardë lekë, ku njësitë e banimit mbajnë vlerën më të madhe.
Raporti i agjencisë evidenton gjithashtu problematika kryesore, duke përfshirë rrezikun e zhvlerësimit të pasurive për shkak të vonesave procedurale dhe mungesës së strategjive të përdorimit të përkohshëm, si dhe mangësitë në infrastrukturën e ruajtjes së kriptomonedhave dhe objekteve me kosto të lartë mirëmbajtjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje