Drejtësia

Pasuritë e Ervis Martinajt, familjarët ankimojnë vendimin e sekuestrimit nga GJKKO

Gazeta Si - Familjarët e Ervis Martinajt kanë ankimuar vendimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për sekuestrimin e 34 pasurive të tij.

Ata kërkojnë rikthimin e pasurive dhe sipas burimeve ankimimi është depozituar ne Apelin e GJKKO. Dyshimet e SPAK, janë se këto pasuri janë me burime kriminale.

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka regjistruar çështjen nr. 48 akti, datë 07.03.2023, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit A.K., D.K., D.M., E.M., E.M., F.V., M.M., R.M., V.M., ndaj vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka disponuar mbi sekuestrimin e disa pasurive", - thuhet në njoftimin e GJKKO.

Në 23 janar të këtij viti, SPAK me vendim gjykate bllokoi në kuadër të një hetimi pasuror ndaj Martinajt, një kazino që ishte 100 përqind në pronësi të tij, si dhe disa shoqëri aksionere në emër të tij dhe familjarëve.

Gjithashtu në sekuestro u vendosën edhe 5 automjete luksoze, toka, troje dhe ullishte, si dhe apartamente dhe llogari bankare në Kurbin, Tiranë, Fushë-Kuqe dhe në Dhërmi.

Martinaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen "Plumbi i Artë", ku sipas vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, që është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, Martinaj është porositës i një vrasje të parealizuar dhe ka siguruar kushtet dhe ofruar paratë për finalizimin e saj.

I shumëkërkuari i SPAK, gjithashtu është në qendër të një hetimi tjetër nga Prokuroria e Kurbinit, që po tenton të zbardhë prej muajit gusht zhdukjen e tij të denoncuar nga familjarët, 3 muaj pasi u shpall në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë