Gjyqtarja në Gjykatën e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku, është shkarkuar nga detyra. Para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Sollaku nuk mundi të kalojë kriteret e Vettingut.
Ajo nuk justifikonte dot pasurinë dhe kishte pasaktësi në deklarimin e saj të burimeve financiare në vlerën e 7 milionë lekëve. Sollaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u konstatuan probleme domthënëse në kriterin profesional.
Gjyqtarja u mbrojt në seancë nga bashkëshorti i saj avokat, ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë.
Avokati Theodhori Sollaku deklaroi në fillim të seancës dëgjimore se do ta përfaqësonte ai bashkëshoten e tij, gjyqtaren Zegjine Sollaku.
“Ashtu si ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana ime”, tha ai, ndërsa shtoi se bashkëshortja kishte qenë e fokusuar tek detyra e saj.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Zegjine Sollaku deklaronte pasuri familjare me vlerë 7.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017 pasuria familjare kap vlerën e 97.7 milionë lekëve.
Ndërkohë, për një apartament dhe një shtëpi private në Fier të trashëguar nga vjehrri i subjektit dhe një makinë tjetër ka rezultuar se bashkëshortët Sollaku kanë pasur burime të mjaftueshme financiare.
Gjyqtarja Sollaku u përball më herët gjatë javës me KPK-në, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare për pasurinë.
Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, ajo ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Procesi i saj i Vettingut u krye nga trupa e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtarë Suela Zhegun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



