Politike

Pasuria e zyrtarëve online, Soreca: Lufta ndaj korrupsionit kërkon vullnet politik

Deklarata e Pasurisë së zyrtarëve në Shqipëri do të jenë transparente duke u publikuar online te faqja e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Mbi 3 mijë zyrtarë do të aplikojnë online deklaratën e pasurisë si dhe qytetarët do të kenë mundësinë që ta shohin online të dhënat e tyre. Ky projekt është finalizuar falë mbështetjes së USAID dhe Bashkimit Europian dhe shihet si një nga kushtet për t’u plotësuar sa i përket rritjes së luftës kundër korrupsionit, si një nga faktorët kyç për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në prezantimin e këtij projekti ishte i pranishëm ambasadori i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, i cili u shpreh se sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, pasi tregohet se lufta kundër korrupsionit merret seriozisht.

“Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha. Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale dhe më pak punë. Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte. Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE. Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët”, tha në fjalën e tij Soreca.


Ndërsa theksoi se lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE. Soreca tha se së shpejti pritet të dalë edhe raporti vjetor i Komisionit Europian në të cilin do të pasqyrohen përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsioin, ku edhe ku projekt i ri pritet të jetë i përfshirë.

Ndërsa përfaqësuesja e USAID u shpreh se qëllimi kryesor i këtij projekti është që të përpunojë të dhëna dhe të japë akses te publik mbi këto të dhëna. Të dhënat online bëjnë të mundur edhe përpunimin analitik të deklaratave ndër vite, duke pasur mundësi përllogaritjeje. Për ndërkombëtarët lufta ndaj korrupsionit nuk mbaron vetëm me kaq, por kërkon një angazhim të të gjithë aktorwve. Për këtë ata i bënë një thirrje të fortë sot shoqërisë civile dhe medias për të denoncuar rastet korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë