Drejtësia

Pasuri nga krimi / Noteres i sekuestrohen 3 milionë euro asete. Hetimet, pasi tentuan t’i vidhnin makinën!

Gazeta Si – Një denoncim që noterja Sanja Telhallari kishte bërë në polici në vitin 2023, se kishin tentuar që t’i vidhnin mjetin “G Class” në zonën e Astirit, ka shërbyer si indicie që Prokuroria e Tiranës të nisë hetimet për pasurinë e saj.

Hetuesit panë që mjeti luksoz i 35-vjeçares, si dhe pasuritë e tjera që zotëronte, nuk justifikoheshin nga të ardhurat e saj.

Kështu, një vilë 2 katëshe në një prej zonave më luksoze dhe të lakmuara të Tiranës, “Rolling Hills”, në pronësi të noteres Telhallari, është në mesin 18 pasurive me vlerë 3 milionë euro, të sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, mbi dyshimet se rrjedhin nga aktivitetet kriminale.

Bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme, mes tyre një vilë luksoze në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”. Po ashtu, në sekuestro janë vënë edhe 5 llogari bankare, vlera e të cilave ende nuk dihet.

“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin ‘Nënshkrimi’. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.”, thuhet në njoftimin për mediat.

Sipas burimeve, hetimet për pasuritë e noteres kishin disa kohë që kishin nisur. Pikënisja duket se ishte kur tentuan t’i vidhnin makinën. Hetuesit panë që mjeti luksoz i noteres, si dhe pasuritë e tjera të saj, nuk justifikoheshin nga të ardhurat.

Asaj iu sekuestrua një vilë në zonën e Lundrës dhe disa apartamente e biznese në Tiranë. Ndërkohë, janë edhe pasuri të tjera që dyshohet se janë të saj, por që janë me kontratë porosie dhe jo me certifikatë pronësie. Këto janë ende duke u verifikuar nga grupi hetimor.

Nga hetimi në vijim rezultoi se gjatë 11 viteve të fundit, nga 2013-a deri në 2024-ën, Sanja Telhallari, ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e këtyre pasurive të paluajtshme, apartamente, dyqane, vende parkimi dhe vilën në kompleksin “Rolling Hills”.

Telhallari, e cila rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin vite me parë, duke e bërë nga Sonja në Sanja, shpesh shihej në rrjet duke reklamuar gjërat e saj luksoze.

Dyshohet se një pjesë e parave të përdorura për blerjen e këtyre pasurive, kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, si dhe është dënuar me 21 vite burg për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”.

“Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim”, tha Prokuroria.

Po ashtu, në korrik të këtij viti, vila e saj në zonën “Rolling Hills” në Tiranë u plaçkit nga hajdutët, të cilët vodhën orë luksoze Rolex dhe Breitling, çanta të shtrenjta, bizhuteri dhe objekte të tjera me vlerë që arrijnë qindra mijëra euro, ndërsa dy çanta – një Guess dhe një Moschino – mbetën të paprekura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë