Drejtësia

Pastronin paratë e drogës nga Italia me kompani udhëtimi, sekuestrohen miliona euro pasuri të 3 personave në Fier

Gazeta Si – Pasuritë e tre personave janë sekuestruar nga Prokuroria e Fierit, me dyshimin se janë përfituar nga trafiku i drogës në Itali. Sipas një njoftimi zyrtar, dyshohet se këto pasuri përdoreshin për pastrimin e parave.

Bëhet fjalë për 17 pronat dhe kompani të A.H., K.H., dhe M.H.. Hetimet zbuluan se më datë 24 maj 2016, Gjykata e Milanos në Itali, kishte lëshuar urdhër-arresti për A.H., nën akuzën e trafikut të drogës.

Dyshohet se grupi kriminal, i drejtuar nga A.H., ka dërguar në Shqipëri miliona euro të fituara në trafik droge në periudha të ndryshme kohore.

Paratë transportoheshin nëpërmjet linjave të autobusëve. Më 13 qershor 2024, u arrestua shoferi. J.Xh., i cili ishte i punësuar për linjën Fier-Siçili, pasi transportonte para të transportuara nga Italia. Në të njëjtën datë, është kapur shoferi A.L., i të njëjtës kompani udhëtimesh.

Ndërsa në qershor 2024, dy shoferë të një kompanie transporti u kapën duke transportuar në Shqipëri vlera monetare nga Italia, ku një prej tyre deklaroi se paratë ia kishte dhënë një italian kundrejt një pagese.

Pas verifikimeve, rezultoi se shtetasit dhe kompanitë e tyre zotëronin pasuri të paluajtshme dhe shoqëri tregtare me miliona euro të dyshuara si të ardhura kriminale, ndërsa bilancet e kompanive rezultuan negativë.

Prokuroria e Fierit vendosi sekuestro mbi:

Pasuri të paluajtshme në emër të A.H. dhe M.H., përfshirë apartamente dhe njësi në Fier, Tiranë dhe Vlorë;

Tokë arë dhe pasuri të shoqërive “A.” Sh.p.k dhe “A I” Sh.p.k në lagjen Sheq i Madh, Fier;

Pasuri të K.H., përfshirë apartamente në Fier;

Kuotat e shoqërive tregtare “A” Sh.p.k, “A Travel” Sh.p.k, “A Bus” Sh.p.k, “A I” Sh.p.k dhe “M Trans” Sh.p.k.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë