Gazeta Si - SPAK ka dërguar për gjykim dosjen hetimore ndaj ish-drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, e cila akuzohet se ka ndihmuar vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, të dënuar në Belgjikë të pastronin paratë e ardhura nga trafiku i drogës.
Në një njoftim njoftim zyrtar për mediat, Prokuroria e Posaçme thotë se ka sekuestruar pasuritë e dy vëllezërve Besjan dhe Leonard Ramaj, të cilët janë dënuar në Belgjikë në vitin 2021 për vepra penale të lidhura me narkotikët.
Njëri prej tyre, Besjan Ramaj është dënuar për të njëjtat vepra edhe nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze në vitin 2012.
Sipas akteve të dërguara nga autoritetet belge, rezulton se vëllezërit në bashkëpunim me Ardjan Malasin (i njohur i tyre) kanë kryer në mënyrë sistematike veprime të kundraligjshme me qëllim pastrimin e parave. Ata kanë investuar në pasuri të paluajtshme si dhe kanë lëshuar fatura fiktive për të justifikuar burimin e të ardhurave.
“Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë nisur nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Përveç Malasit, me ta ka bashkëpunuar edhe Rajmonda Dashi, ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës, ndaj së cilës vitin e shkuar është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
"Ndërsa e pandehura Rajmonda Dashi është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi, e cila për shkak të kohës së përfshirjes në këtë veprimtari, rolit dhe veprimeve të kryera prej saj, rezulton se ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo atij të veçantë", - vijon më tej SPAK.
Sipas SPAK shuma e përgjithshme e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është 1,250,000 euro dhe 9,000,000 lekë. Ndërkohë paratë e aktiviteteve kriminale të vëllezërve Ramaj, jepeshin në dorë tek firma 'Ledio 04' me administrator Ardjan Malasin në Shqipëri e cila i investonte në pasuri të paluajtshme.
"Përgjatë kësaj veprimtarie kriminale rezulton të jetë përdorur kryesisht paraja në dorë, e cila është integruar në shoqërinë “Ledio 04” sh.p.k me ortak dhe administrator, të pandehurin Ardjan Malasi, për t’u investuar më pas në pasuri të paluajtshme, e shoqëruar me kryerje të veprimeve dhe transferimeve të shumta bankare të vlerave monetare nga llogaritë e shoqërisë tregtare në atë personale dhe anasjelltas, duke u përfshirë në kryerje të veprimeve fiktive juridike, si huadhënie, shitblerje të pasurive të paluajtshme, apo transferim të këtyre pasurive, Shuma e parave të përfshira në veprimtarinë kriminale të pastrimit të produkteve të veprës penale rezulton të jetë afro një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë euro dhe nëntëmilion lekë".
SPAK thotë se të pandehurit kanë kryer të veprime të paramenduara për fiktive juridike, si huadhënie, shitblerje të pasurive të paluajtshme, apo transferim të këtyre pasurive për të pastruar paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal
"Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre tregojnë se të pandehurit kanë paramenduar mënyrën e të vepruarit, kanë patur vazhdimësi në veprimtarinë e tyre, duke u përfshirë në kryerje të veprimeve të shumta juridike dhe transaksioneve financiare, duke vepruar kështu në kuadër të një bashkëpunimi të vecantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim përfitimin material.
Dijenia e tyre mbi origjinën e paligjshme të pasurive dhe të të ardhurave rezulton e provuar për të pandehurit Besjan dhe Leonard Ramaj si të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, ku janë gjeneruar të ardhurat e kundërligjshme dhe për të pandehurin Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi nga rrethanat faktike, si përfshirje të tyre në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to" vijon SPAK.
Shuma e parave të përfshira në veprimtarinë e tyre kriminale është afro 1 250 000 Euro dhe 9 milion lekë.
Janë sekuestruar:
-12 apartamente në qytetin e Fierit;
-1 dyqan prej 300m 2 në qytetin e Fierit;
-1 pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m, ndodhur në Mallakastër;
-4 apartamente në qytetin e Tiranës;
-3 ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
-1 shoqëri tregtare;
-2 automjete;
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.