Gazeta Si – GJKKO dënon me 7 vite burg për pastrim parash nga trafiku i drogës të kryer në bashkëpunim ish-drejtoreshën e Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për ish-zyrtaren zbret në 4 vite e 8 muaj burg.
Megjithatë, Dashi nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pasi dënimi i konvertohet në 3 vite shërbim prove. GJKKO ka vendosur t’i heqë edhe masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” ish-drejtoreshës së Kadastrës në Durrës.
Ndërkohë GJKKO ka dënuar me rreth 22 vite burg burg 3 të pandehurit e tjerë, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, si dhe Ardjan Malasin, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e “Grupi i strukturuar kriminal”.
Vëllezërit Ramaj dhe dy bashkëpunëtorët Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi, dyshohet se pastruan 1.25 milionë euro para të përfituara nga trafiku i drogës në Belgjikë.
Vëllezërit Ramaj rezultojnë se janë dënuar nga autoritetet belge në 2021 për vepra të lidhura me narkotikët. Ndërsa Besjan Ramaj rezulton të jetë dënuar për vepra të njëjta penale edhe në vitin 2012, nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze.
SPAK thotë se për 13 vite nga viti 2010 deri në 2023, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj së bashku me të njohurin e tyre Ardjan Malasin, kanë investuar në pasuri të paluajtshme në vendin tonë, kanë kryer shitblerje dhe transferime pronësish e veprime financiare fiktive me qëllim pastrimin e të ardhurave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



