Gazeta Si – Një objekt banimi 8-katësh është sekuestruar në Vlorë, pasi dyshohet se është ndërtuar me dokumente të falsifikuara dhe pastrim parash.
Godina, e cila ndodhet në rrugën “Gjergj Araniti” në lagjen “Pavarësia”, është në pronësi të shtetasve Hito Muskaj dhe Viktor Muskaj, të cilët janë shpallur në kërkim.
Ka qenë shtetasi J.M., i afërt i dy pronarëve të truallit, ai që ka bërë denoncim për falsifikim dokumentacioni, ç’ka ka çuar ne nisjen e hetimeve të Prokurorisë.
“Mbi bazën e kallëzimit të shtetasit J.M, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka regjistruar procedim penal nr,1100/2021, për veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave”, “Shkatërrim i pronës dhe ‘Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 186, 150 dhe 287 të K.P”- thuhet në dokument.
Ndërkohë, ndërtuesi i objektit tha se nuk kishte dijeni për urdhrin e sekuestros, ndërsa theksoi se në këtë rast ai dëmtohet më shumë.
Ai shtoi se punimet nuk kanë lidhje me problemet e truallit dhe se ai nuk dinte asgjë mbi falsifikimin e dokumenteve, gjë e cila sipas tij kishte ndodhur shumë vite më parë.
“Unë nuk kisha dijeni. Policia më tha se ka një urdhër sekuestro për objektin që unë po ndërtoj. Unë jam ndërtuesi dhe jam investitor në masën 80%, – u shpreh Bektash Petroshati për mediat. – Personat që kanë marrëveshjen me mua për ndërtimin, ju kam thënë që ta shikojnë këtë problem, sepse rëndohem unë dhe unë s’kam të drejtë të rëndohem sepse nuk më përket mua. Më kanë thënë se i kemi të sakta. Këtu janë dy pronarë. Për mendimin tim, vendimi që ka marrë gjyqtarja është i padrejtë, ka të bëjë me pronarët e tokës. Ndërtimi ka gati 11 muaj. Është e shitur e gjitha, punëtorët goditen, ata që kanë blerë goditen, shteti goditet. Këto nuk janë marrë parasysh nga gjyqtarja dhe prokurori nuk na ka marrë për të na pyetur”.
Ai pohoi se pas këtij vendimi do të ndjekë hapat ligjorë. “Do të ankimojmë vendimin. Pala më e dëmtuar jam unë. Nga Kadastra dokumenti ka dalë në rregull. Problemi qëndron nga një falsifikim të bërë 30 vite më parë që unë nuk kam lidhje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




