Mjedis

Pasojat e zjarreve, ekspertët: Sipërfaqet e djegura vetëm pas 50 vjetësh mund të rikthehen sërish në të pyllëzuara

Nga Sorgena Leka – Shqipëria është në “luftë” me zjarret gjatë muajve korrik-gusht ku akoma vazhdon të ketë vatra zjarri aktive. Dëmet janë të mëdha e një pasqyrim nga ekspertët tregon se dëmi është më i madh sesa vetëm shpyllëzimi dhe djegia e tokave si dhe është një dëm që do të vazhdojë të jetë prezent gjithmonë duke qenë se janë tjetërsuar totalisht habitati dhe shërbimet e ekosistemit.

Rodion Gjoka, ekspert mjedisi tregon për Gazetasi.al se si fillim Shqipëria do të dalë nga kërcënimi i zjarreve në momentin që do të nisin reshjet e para me intensitet mesatar, praktikisht fundi i verës ose fillimi i vjeshtës gjithsesi “risku ngelet sërish i lartë nëse përgjatë Shtatorit do të kemi sërish temperatura mbi 30 gradë”.

Gjoka thotë se, së pari, dëmi i shkaktuar është i pakthyeshëm pasi habitati dhe shërbimet e ekosistemit që ofroheshin nga ai habitat tani më i djegur, janë tjetërsuar. Aftësia ripërtëritëse e një zone të djegur është thuajse nul në rast se nuk aplikohet fushatë rimbjellje.

Rodion Gjoka, ekspert mjedisi, Gazeta Si, 17 gusht 2021

“Edhe kjo e fundit efektet e plota mund t’i japë të paktën pas 30-50 vitesh ku habitati mund të rikthehet serish me funksionet e plota si më parë”, shton Gjoka.

Përgjatë këtyre 30 viteve të gjithë fondet pyjore njohin vetëm degradim për shkak të prerjes pa kriter, të mungesës së menaxhimit dhe së fundi prej zjarreve që në 10 vitet e fundit kanë qenë gjithnjë e më agresive.

“Tokat do të jenë tepër të ekspozuara ndaj fenomenit të erozionit, kësisoj do të kemi humbje të tokës dhe shtim të sedimenteve drejt ujërave sipërfaqësore”, thotë Gjoka.

Gjoka tregon se kjo ndikon në aftësinë drenuese dhe kulluese më tej gjatë periudhës së shirave ku rritet risku i përmbytjeve si pasojë e sedimenteve që bllokojnë grykat e rrjedhave sipërfaqësore.

Por kush mund të bëjë diçka për të shpëtuar tokën e shkatërruar?

“Së pari njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që në kushtet kur janë të detyruar të djegin tokën apo parcelën e tyre, ta bëjnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontrolluar, madje duke bashkëpunuar edhe me autoritetet lokale në disa raste”, thotë Gjoka i cili shton se autoritetet, sidomos Ministria e Mjedisit dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura të rrisin buxhetin dhe të rehabilitojnë zonat e djegura që kanë rëndësi pasi mund të jenë zona të ndërmjetme “buffer” me zonat e mbrojtura.

Shoqëria civile nga ana tjetër mund të fokusohet në rivitalizimin e hapësirave të djegura duke aplikuar rimbjellje të fondit të djegur me fara apo fidanë të rinj. Paralelisht duke angazhuar komunitetin lokal nëkëtë proces për të siguruar vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj ndërhyrje, “duke e pozicionuar komunitetin si menaxhuesin primar të mjedisit nga i cili ata përfitojnëshërbimet e ekosistemit”.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni thotë për Gazetasi.al se zjarret në Shqipëri dëmit më të madh nuk e kanë sjellë në vlerën e humbur potencialisht të lëndës drusore, por në erozionin e tokës që pritet të shkaktojë në vitet e ardhshme dëmtimi serioz i mbulesës bimore, si rrjedhojë e relievit malor që ka vendi.

“Një tokë e zhveshur nga bimësia përcjell ujin e shiut shumë më shumë e më shpejt se një tokë e veshur me bimësi. Erozioni më pas jo vetëm që rrezikon jetë njerëzish, por ul prodhimtarinë bujqësore në vend”, thotë Ferruni.

Lavdosh Ferruni, ambientalist, Gazeta Si, 17 gusht 2021

Nëse pylli rigjenerohet vetë, pasi mund të ndodhë që djegia e ka bërë plotësisht të pamundur ringritjen e pyllit, do të dojë shumë kohë.

Ferruni shprehet se edhe pse pylli artificial nuk e zëvendëson dot pyllin natyral,është koha qëçdo vend,për më tepër Shqipëria, duhet të mbjellë shumë pemë, “jo vetëm për efekt tëekonomisë, por së pari të zbutjes dhe adoptimit të ndryshimeve klimatike.

Gjoka thotë se si fillim duhet të pritet përllogaritjet nga autoritetet publike për të parë nëse në përllogaritjet e tyre kanë marrë në konsideratë shërbimet e ekosistemit që këto pyje apo fonde natyrore i jepnin mjedisit dhe komunitetit.

“Pak kush ose më mirë askush përveç eksperteve dhe akademikëve nuk i merr në konsiderate në sasi dhe vlerë monetare shërbimet si: Çlirimi i Oksigjenit, Kapja e Dioksidit të Karbonit, Ofrimi i lëndës së parë biomasë, Strehimi i specieve prej të cilave marrim nënprodukte si bletët për shembull, funksioni rekreativ e shumë shërbime të tjera”, përfundon Gjoka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë