Gazeta Si – Shpëtim Duro ka dhënë dorëheqjen. Trajneri kryeqytetas ka marrë vendimin për t’u larguar nga Laçi pas eliminimit të skuadrës kurbinase në Ligën e Konferencës nga moldavët e Petrokub.
Vetë trajneri e ka lidhur vendimin e dorëheqjes me shpërfytyrimin e Laçit në 30 minutat e fundit të ndeshjes. Kjo është hera e dytë që Duro largohet nga Laçi. Nga ky ekip janë larguar së fundi edhe disa lojtarë të rëndësishëm, si Malota dhe Roganoviç.

Duro mund të jetë trajneri i parë që lë detyrën pas dështimit europian të katër skuadrave shqiptare. Të lëkundura duken edhe pozitat e Orges Shehit te Tirana, por për momentin nuk ka një vendim nga drejtuesit e këtij klubi.
Kampionët e Shqipërisë i humbën të katërta ndeshjet që zhvilluan në kupat e Europës, dy në Ligën e Kampionëve dhe dy në Ligën e Konferencës. Numrat janë kundër Shehit, edhe pse ai u shpall kampion me Tiranën.
Tani mbetet të shihet se kush do ta pasojë trajnerin Shpëtim Duro te Laçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




