Kursimet e shqiptarëve në formën e depozitave në bankat e nivelit të dytë kanë vazhduar të rriten në mënyrë të qëndrueshme edhe në tetor, pavarësisht se me ritme më të ulëta në krahasim me dy muajt e mëparshëm.
Banka e Shqipërisë raporton se e totali i depozitave në fund të muajit tetor arriti një rekord historik prej 1.08 trilionë lekësh, ose 8.7 miliardë lekë, duke u rritur me 2.5 miliardë lekë (0.28%), në krahasim me muajin e mëparshëm.
Krahasimisht me fundin e shkurtit, kur COVID-19 nuk ishte shpallur ende pandemi globale, depozitat janë rritur me 39 miliardë lekë, ose rreth 317 milionë euro. Vitin e kaluar, shtesa e kursimeve për të njëjtën periudhë ishte 90 milionë euro, ose gati katër herë me e ulët.
Ky është zgjerimi më i madh i depozitave për periudhën në fjalë që nga viti 2012, referuar statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Rritja e kursimeve nga shkurti në tetor i atribuhet më së shumëti depozitave në lekë, që ka ndikuar në mbi 60% të rritjes, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur depozitat në lekë kishin një ecuri të ngadaltë për shkak të normave të ulëta të interesit. Ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë shtimi i depozitave pa afat të individëve në lekë, në një tregues indirekt se individët nuk po shpenzojnë dhe po preferojnë që të mbajnë paratë e tyre në banka, ndonëse me norma interesi të papërfillshme, ose edhe pa interes. Edhe nga valuta, rritja ka ardhur nga kursimet pa afat të individëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



