Kosova

Pasi prezantuan statutin e Asociacionit, Qeveria e Kosovës shkarkoi 4 serbët e Ekipit Menaxhues

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiç, Jellena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç.

Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel.

Krasniqi tha, po ashtu, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas shkarkimit të tyre reagoi në Beograd Zyra për për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim “të njëanshëm” dhe “të kundërligjshëm”.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij”, tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u takua në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në vend të tij, ai propozoi një “draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, “rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë