Sociale

Pashkët Ortodokse, urimi i Kryepeshkopit Anastas: Falja, vaksina e njerëzimit

Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos iu ka uruar Pashkët me një mesazh besimtarëve ortodoksë. Ai thotë se në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet.

Gjithashtu ka shprehur se vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë.

Imzot Anastasi tha më tej është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh.
“Duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga e kremtja e tërëndritshme e Pashkës, që mbi të gjitha është e kremtja e pajtimit universal, le të përpiqemi të paqësohemi personalisht, duke falur madje edhe ata që na urrejnë, edhe nëse kjo na duket e vështirë.Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e jetës mbi vdekjen e mbi gjithë pasionet shkatërrimtare dhe na fton të shijojmë çlirimin tonë nga pushteti i tyre. Dhe në një botë që përpëlitet nga armiqësi vdekjeprurëse dhe nga pandjeshmëria, le të bëhemi luftëtarë kundër urrejtjes dhe varianteve të saj të shumëllojta. Dhe, me besim të palëkundur, le të përpiqemi që të forcohet bashkimi, pajtimi, dashuria, uniteti, bashkekzistenca harmonike e njerëzve dhe e popujve.Krishti u ngjall, vëllezër dhe motra. Me shëndet të fortë dhe shpresë gjatë periudhës së turbullt të pandemisë, dhe me lirinë e Ngjalljes në shpirtin tonë!,” shton më tej në urimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë