Ekspozite

Pashk Përvathi zhvesh bukurinë rome

Nëse peshkatari  Santiago, tek “Plaku dhe Deti”  nga përshkrimi i Heminguejit  do të shndërrohej në një pikturë, do i përngjante portretit të Islam Shabanit, një prej dyzetegjashtë tablove me të cilat piktori Pashk Përvathi i propozohet dashamirësve të artit figurativ në ekspozitën e tij më të re, të çelur mbrëmjen e 11 tetorit, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.Ndryshe ka vendosur të ballafaqohet me publikun e po ashtu e ka titulluar edhe këtë ekspozitë, e dyzetenjëta në karrierën e tij të gjatë.

Janë punime kryesisht të dy viteve të fundit, të cilat piktori rrëfen se i ka punuar me dashuri dhe pasion, të kushtuara në pjesën më të madhe komunitetit rom, mes tyre edhe njëzetenjë nudo që shfaqin bukurinë e gjallë dhe autentike, pa nevojën  e sofistikime të modernitetit,  të vajzave  ciganeve.

Ka vendosur të vijë me portretin njerëzor, duke zgjedhur një bashkësi njerëzish, për të cilët rrëfen se i njeh dhe i do, për sinqeritetin e tyre. “Janë të dashur, nuk mashtrojnë, kanë një përulje me dinjitet”, ka thënë piktori Përvathi ndërsa ky cikël  mbush një fole të zbrazët, të cilën artisti ka dëshiruar gjithnjë ta përmbushte.

Piktori Pashk Përvathi dhe kuratori Oltsen Gripshi

Megjithëse në asnjë prej tablove nuk duket peizazhi, aq i spikatur në penelin e tij prej shumë vitesh, piktori rrëfen se edhe  këto portrete vijnë me motivet e tij të preferuara, mjetet e tij shprehëse dhe uni i tij krijues.

Bukuria e vajzave rome, që vijnë të zhveshura, gjysmë të zhveshura, në poza medituese, melankolike, shpesh të përhumbura në mendime, evokojnë vajzat tahitiane pas të cilave u magjeps piktori Paul Gauguin dhe i përjetësoi në artin e tij. “Edhe nudot janë si peizazh në natyrë”, thotë piktori. “Portreti dhe figura janë dy gjinitë artistike të panjohura deri më tani të piktorit peizazhist Pashk Përvathi, i cili ndonëse i joshur përjetësisht pas natyrës, pikërisht tek ajo arriti të zbulojë bukurinë e një tjetër natyre, asaj njerëzore”, thotë kuratori i kësaj ekspozitë, Oltsen Gripshi, ndërsa e sheh këtë cikël të Përvathit si rrekje për të kapur karakterin e fizionomisë së personit. “Në të kundërt nga gjinia e peizazhit që jemi mësuar ta shohim krijimtarinë e tij artistike, përpiqet të thellohet në hollësi,  të cilat modelojnë veçantinë karakteriale të individëve të ndryshëm të portretizuar.”

Për kuratorin Gripshi portreti  në pikturën e Pashk Përvathit nuk është një rastësi, por një kërkim disa vjeçar, i cili në qendër të tij vendos një kulturë, bashkësi shoqërore, përkatësi identifikuese, ku gati portreti i tyre kthehet në “simbol”. Është  portreti folkloristik i romëve, një portret, ku intuita dhe imazhi tipizues dhe përgjithësues përcakton një mimikë të caktuar.

Ashtu  si edhe  në gjininë e peizazhit, Përvathi nuk mbetet “skllav” i imitimit me përpikmëri të portretit, por niset nga dy elementë thelbësorë për modelimin e tij; paraqitja e rregullt e linjave tipizuese dhe kërkimit për të kapur shprehinë psikologjike të individit në ato çaste. “Në frymën e bashkëkohësisë, interpretimi që piktori Përvathi i bën portretit është ajo e një leximi vetjak të individit, duke mos e braktisur asnjëherë identitetin e tij artistik në interpretimin e së vërtetës reale”, analizon Gripshi. Shpërfaqje e gjendjes së brendshme të individit, sipas kuratorit, mbetet liria absolute për piktorin, liri që e çon  drejt një lirie më të madhe ,asaj interpretuese dhe jo robërisë që vjen nga imitimi.

Një tjetër aspekt që bie në sy, vëren më tej Gripshi,  janë kompozimet e thjeshta me pak objekte në sfond, gati të zbrazëta, të qeta, duke mbajtur në plan të parë pastër e shndritshëm portretin apo trupat lakuriq femëror, falë lojës grafike të dritëhijes së theksuar dhe ky aspekt tregon më së miri se piktori ka kllapitur mrekullisht mahnitshëm dritën plot jetë e gjallëri të Mesdheut. Qëndrimi i subjekteve është herë brenda një skeme klasike të të pozuarit, herë risjell në vëmendje qëndrime nga piktura e Rilindjes italiane dhe herë spontane, duke përjetësuar çaste intime të modeleve.     

 Sporadike  janë edhe portrete meshkujsh të realizuara në fillimet e piktorit Përvathi, ku ndjehet fryma akademike e periudhës së pikturës së Realizmit Socialist para viteve ‘90.  Në  disa prej portreteve vërehet një lloj ndrojtje me kokën të ulur poshtë apo me shikimin e përhumbur të hedhur gjetkë, si e si për të shmangur syrin vrojtues të piktorit dhe më pas të ekspozuara brenda një muzeu syrin vëzhgues të spektatorit. “Lakuriqësia është ajo që na shpie në një tjetër përmasë. Në hapësirën zero, reale me vërtetësinë e kohës sonë, aty, ku brishtësia e një femre zbulohet nga kënaqësia për të pozuar përballë një piktori dhe përjetësuar hiret e saj mbi kanavacë”, thotë Oltsen Gripshi, i cili e sheh lakuriqësinë e sjellë prej piktorit si një marrëdhënie të brishtë midis qenies njerëzore dhe fatit të tij, rastësisë kohore dhe çështjes sociale, lirisë dhe skllavërimit të femrës. “Të gjitha këto aspekte rrëzojnë njëherazi paragjykime, ndasi përjashtuese, përbuzje dhe poshtërime ndaj seksit femëror, aq më tepër kur ajo shfaq hapur pa druajtje pjesët intime të trupit të saj, duke e sjellë atë brenda një hapësire të pakohë.”

Piktori Përvathi tenton t’i shkëpusë modelet e tij larg idealizimeve dhe linjave të përsosura trupore. Ai kërkon të përditshmen, të vërtetën, duke përjetësuar skena reale dhe të natyrshme në qëndrimet e tyre, për të arritur në sintezën e ndjeshmërisë së tij mbi kanavacë.      


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë