Ka ndodhur

Pasaporta bullgare false për 5 turq, arrestohet në Portin e Durrësit 41-vjeçari anglez

Gazeta Si - Një 41-vjeçar nga Britania, është arrestuar në portin e Durrësit, pasi u kishte siguruar 5 shtetasve turq, pasaporta bullgare false, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Policia thotë se u arrestuan edhe 5 shtetasit turq, pasi tentuan të dilnin nga vendi ynë, duke përdorur pasaportat false.

Me finalzimin e operacionit  “Pasaporta”, janë vënë në pranga: shtetasi anglez J.S., 41 vjeç dhe shtetasit turq: M.K., 29 vjeç, M.D., 23 vjeç, A.A., 19 vjeç, H.K., 20 vjeç dhe M.H., 31 vjeç.

"Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në dalje të RSh-së, kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin J. S., ku kanë parë 5 shtetasit turq, të cilët transportoheshin nga 41-vjeçari, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, të 5 shtetasve turq iu gjetën pasaporta bullgare false, të cilat dyshohet se janë siguruar nga shtetasi J. S., për t’i kaluar këta 5 shtetas, drejt vendeve të BE-së", njoftoi policia.

Shtetasi anglez akuzohet për veprat penale, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë