Kosova

Pas Vuçiçit, edhe Daçiç: Presidenti ka të drejtë, Kurti është terrorist

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, iu bashkua histerisë së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili e quajti “terrorist” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ai është terrorist, sepse nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, i gjithë ai formacion është separatist dhe terrorist”, deklaroi Daçiçi, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe funksionit të Kurtit në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, e cila drejtohej nga Adem Demaçi.

Sipas sensit propagandistik të diplomatit serb, Kurti në vitin 1999 u arrestua nga regjimi serb për “veprimtari separatiste dhe terroriste”, kurse e vërteta është se Kurti ishte burgosur nga regjimi i Slobodan Millosheviçit për bindjet e tij.

Pas vendimit për ta ngarkuar politikanin serb, Nenad Rashiq, me detyrën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, zyrtarët serbë në Beograd kanë filluar të përçojnë mesazhe urrejtje ndaj kreut të ekzekutivit kosovar.

“Ai është faktori kryesor i kërcënimit në rajonin tonë. Tani ai i futi serbët e tij në qeveri për të realizuar qëllimet e mëdha shqiptare”, deklaron Daçiçi.

Ndërkaq, arsyeja e shqetësimit të zyrtarëve serbë, sipas ministrit të ri, Nenad Rashiq, ka të bëjë me faktin që ai është “serb autentik i Kosovës” dhe nuk kontrollohet nga Beogradi. (Zeri)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë