Bota

Pas Venezuelës, Trump kërcënon Kolumbinë, Meksikën dhe Kubën

Gazeta Si – Pasi sulmoi Venezuelën, Donald Trump kërcënon të gjithë Amerikën e Jugut, nga Kolumbia, Meksika e madje deri në Groenlandë.

“Kolumbia qeveriset nga një njeri i sëmurë dhe ai nuk do të jetë për shumë gjatë”, tha presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One.

“Operacioni Kolumbia më duket si një ide e mirë”, shtoi ai, përpara se të kërcënonte Venezuelën me një sulm të mëtejshëm pas atij që çoi në kapjen e Maduros: “Delcy Rodriguez duhet të bëjë gjënë e duhur”.

Ndër të tjera ai nënvizoi se SHBA-të ishin përgatitur për veprime të mëtejshme ushtarake në Venezuelë, por deri më tani nuk kishin qenë të nevojshme, duke shtuar se kjo mund të ndryshojë “nëse nuk sillen siç duhet”.

“Ne e kemi kontrollin në Venezuelë. Kemi të bëjmë me njerëz që sapo kanë marrë detyrën. Mos më pyetni se kush është në krye, sepse do t’ju jap një përgjigje që do të jetë shumë e diskutueshme”, tha Trump, duke iu përgjigjur një gazetari që e pyeti nëse kishte folur me udhëheqësen e përkohshme Delcy Rodriguez.

“Kjo do të thotë se ne e kemi kontrollin”, përsëriti edhe njëherë presidenti i SHBA-së, teksa shtoi se Kuba është “gati të bjerë”.

Trump nënvizoi se do të ishte e vështirë për Havanën të “mbahej” pa marrë naftë venezueliane të subvencionuar shumë. “Nuk mendoj se është e nevojshme ndonjë veprim; duket sikur po shembet”, shtoi ai.

Por presidenti amerikan nuk u ndal këtu: “Diçka duhet bërë me Meksikën. Meksika duhet të ndërmarrë hapa” dhe të luftojë më mirë trafikun e drogës.

Trump tha se i ka ofruar vazhdimisht trupa amerikane Meksikës, por presidentja e vendit, Claudia Sheinbaum, është “e shqetësuar, pak e frikësuar”.

Dhe më pas, paralajmërimi i miliarderit, u zhvendos në Groenlandë, ishulli Arktik gjigant pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

“Kemi nevojë për Groenlandën” për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, ka përsëritur presidenti amerikan Donald Trump para gazetarëve në bordin e Air Force One. Dhe “Bashkimi Europian ka nevojë të ketë Groenlandën gjithashtu”, vijon ai.

“Ne kemi nevojë për të”, shpjegon, “nga një këndvështrim i sigurisë kombëtare, është kaq strategjike. Tani është përplot me anije ruse e kineze dhe Danimarka nuk do të mundet ta përballojë”, vijon Trump, para se të shtonte me shaka se Kopenhaga përmirësoi sigurinë e Groenlandës duke shtuar një “slitë qensh.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë