Politike

Pas urdhrit të Ramës, japin dorëheqjen 7 drejtorët rajonalë

Drejtorët rajonalë nuk kanë humbur kohë dhe kanë zbatuar menjëherë ultimatumin e lëshuar nga kryesocialisti Edi Rama që të gjithë drejtorët rajonalë të Shkodrës, që janë në varësi të Ekzekutivit të japin dorëheqjen. Kjo me qëllimin që PS-ja t’ia nisë nga e para procesin e riformatimit të institucioneve dhe madje edhe partisë në qytetin më të madh verior, që ka pësuar një tronditje jo të vogël, pas largimit të Valdrin Pjetrit, i dorëhequr për shkak se rezulton me rekorde kriminale.
Nga 16 drejtori që preken mësohet se deri më tani kanë dhënë dorëheqjen 7 drejtorë. Vetëm dorëheqja e drejtorit të Spitalit, mjekut të njohur Ardian Dajti nuk është konfirmuar. Kadri Ymeri, drejtori i Zyrës Arsimore; Astrit Beci, drejtor i Shëndetit Publik; Mustaf Kraja drejtor i Agjencisë së Bujqësisë; Agim Dardha, drejtor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Dorëheqjen e ka dhënë edhe drejtori i Postës, Edmond Emini, i cili njëherësh mbante edhe postin e kryetarit të PS-së së Shkodrës.
Ndërkaq lëvizje priten edhe në drejtoritë e tjera si në OSHEE, Kadastra dhe Tatime. Një ditë më parë të gjithë drejtorët rajonalë zhvilluan një takim në Tiranë me kryesocialistin Edi Rama, i cili i kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejt dhënien e dorëheqjes. Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia, në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të qarkut Shkodër, tha se është marrë vendimi që të shkarkohen të gjithë drejtorët aktualë rajonalë dhe se prioritet për plotësimin e vendeve vakante do të kenë femrat. Kadia shtoi se gratë dhe vajzat do të kenë prioritetet për të qenë në krye të drejtorive të Shkodrës. “Ndjej të domosdoshme të bëj një komunikatë. Të gjithë drejtorët e bashkisë Shkodër iu komunikua se duhet të japin dorëheqjen. Vendet do të plotësohen nga persona që do jenë brenda këtyre institucioneve. Do ngrihet një komision qytetar për të përcaktuar zëvendësuesit. Prioritet do të kenë në këto vende vakante që do të krijohen gratë, për të qenë drejtuese të këtyre institucioneve”, tha Kadia. Ndërsa bëhet e ditur se do të ketë drejtorë të komanduar deri në një vendim final. PS-ja nuk ka caktuar një të deleguar, por ka vendosur një komision të përbashkët ku do të vlerësimi i situatës në Shkodër. Socialistët pritet të ndërhyjnë edhe postet drejtuesve në bashki.

Kadri Ymeri – Drejtor i DAR Shkodër
Ardian Dajti – Drejtor i Spitalit të Shkodrës
Mustaf Kraja – Drejtor i Bujqësisë Shkodër
Luan Heta – Drejtor i HEC Vau Dejës
Edmond Emini – Drejtor i Postës Shkodër ( Kryetar i PS Shkodër )
Agim Dardha – Drejtor Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër
Astrit Beci – Drejtor i Shëndetit Publik Shkodër.

Dorëheqjet, PD: Antikushtetuese, po zëvendësohen bandat
Partia Demokratike dega Shkodër reagoi pas lajmeve për dorëheqje të drejtorëve të institucioneve që janë në varësi të Ekzekutivit. “Edi Rama, kryetari i sektit të Rilindjes, orët e fundit po imponon një proces tërësisht antiligjor, diskriminues dhe në gjurmët e etërve të tij biologjikë e politikë. Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë rajonale në Shkodër. Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë-shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945”, thuhet në deklaratën për median.
Sipas PD-së, urdhri për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës.
“Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson njërën bandë me një bandë tjetër. Pasi të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër, Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare. Revanshi i radhës i kryeministrit uzurpator, tregon se ai shtetin e konsideron “parcelë private”, pronë të tij dhe të sektit të rrezikshëm kriminal të Rilindjes. Bindja e verbër ndaj urdhrave antiligjorë, për ndëshkime kolektive përmes dorëheqjeve të detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti, pranim i tutelës partiake në vend të zbatimit të ligjit, nënshtrim ndaj një individi psikopatik”, thuhet më tej në këtë deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë