Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Evropian ka pezulluar tarifat e reja doganore ndaj SHBA për 90 ditë për të lënë kohë për negociata me Donald Trump.
Ky vendim vjen pas atij të presidentit amerikan mbrëmjen e së mërkurës për të ‘ngrirë’ tarifat për vendet që nuk ishin hakmarrë ndaj valës së tij të parë të tarifave.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen thotë se po japin një shans për negociata.
“Ne morëm parasysh njoftimin e Presidentit Trump. Ne duam t’i japim një shans negociatave. Ndërsa finalizojmë miratimin e kundërmasave të BE-së që u mbështetën nga shtetet tona anëtare, ne do t’i vendosim ato në pritje për 90 ditë. Nëse negociatat nuk janë të kënaqshme, kundërmasat tona do të fillojnë. Puna përgatitore për kundërmasa të mëtejshme vazhdon. Siç e kam thënë edhe më parë, të gjitha opsionet mbeten në tavolinë.”, ka shkruar Von der Leyen.
We took note of the announcement by President Trump.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) April 10, 2025
We want to give negotiations a chance.
While finalising the adoption of the EU countermeasures that saw strong support from our Member States, we will put them on hold for 90 days.
If negotiations are not satisfactory, our…
Blloku evropian do të niste kundërtarifat doganore për rreth 21 miliardë euro të importeve amerikane nga e marta e ardhshme në përgjigje të tarifave prej 25% të Trump për çelikun dhe aluminin. Ndërkohë, ende po vlerëson se si t’i përgjigjet tarifave të makinave amerikane dhe taksave më të gjera prej 10% që janë ende në fuqi.
Vendimi i papritur i Trump të mërkurën për të ndalur shumicën e tarifave doganore rimëkëmbi tregjet e goditura globale. Ndryshimi i qëndrimit të tij erdhi më pak se 24 orë pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja, që shkaktoi episodin më të paqëndrueshëm të tregut financiar që nga pandemia Covid-19.
Ndërkohë, tarifat prej 104% ndaj Kinës vazhdojnë ndërsa kundërmasat e kësaj të fundit prej 84% hynë në fuqi sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.