Nuk do të ketë asnjë traktat global për pandeminë këtë vit, pasi vendet përsëri nuk arritën të bien dakord për një mandat për t'u përgatitur dhe bashkëpunuar më mirë gjatë një krize shëndetësore si Covid-19.
Delegatët dhe grupet e shoqërisë civile thonë se projekt-traktati është dobësuar ndjeshëm gjatë tre viteve të bisedimeve, me përparim të kufizuar të bërë gjatë raundit më të fundit të negociatave, i cili përfundoi këtë muaj.
Kjo lë një shans gjithnjë në tkurrje që traktati të finalizohet deri në afatin e majit të 2025.
Në 2020, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian Charles Michel ishte ndër të parët që propozoi traktatin për të adresuar problemet që u shfaqën gjatë pandemisë së Covid-19.
Ai do të zbatonte masa të reja me synimin për të frenuar pabarazitë nëse do ketë një krizë në të ardhmen, për shembull duke siguruar akses në vaksina.
"Një pandemi nuk njeh kufij, kështu që bashkëpunimi ndërkombëtar është një domosdoshmëri," thotë Jaume Vidal, këshilltar i lartë i politikave për projektet evropiane në Health Action International. Por, shton ai, është e vështirë të gjesh një konsensus sepse kompanitë farmaceutike kanë një axhendë, vendet në zhvillim kanë një sërë prioritetesh dhe vendet e zhvilluara kanë qëllimet e tyre.
Më shumë se 190 vende janë të përfshira në bisedime, të ndihmuara nga një trup negociator ndërqeveritar (INB) i organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Traktati fillimisht supozohej të përfundonte deri në maj 2024, por afati u shty një vit pasi negociatorët nuk arritën të finalizonin një draft.
Në raundin e fundit të bisedimeve, vendet nuk arritën të thyejnë një ngërç në dy pika kyçe: përpjekjet për parandalimin e pandemisë dhe një sistem të aksesit të patogjenëve dhe ndarjes së përfitimeve ku vendet do të ndajnë informacione rreth kërcënimeve të sëmundjeve në zhvillim dhe nga ana tjetër do të kenë akses në vaksina dhe ilaçe.
Europianët kanë tentuar për të marrë iniciativa parandaluese, të cilat do t'i detyronin vendet në jugun global të shtojnë mbikëqyrjen e tyre të sëmundjeve, sistemet e paralajmërimit të hershëm, kontrollin e infeksionit dhe programe të tjera të gatishmërisë ndaj pandemisë.
Grupi i Afrikës kërkon gjithashtu akses me përparësi ndaj vaksinave, ilaçeve ose mjeteve të tjera që zhvillohen duke përdorur informacionin mbi patogjenët që mund të bëhen kërcënime pandemike. Ky ka qenë një problem për vendet e pasura me sektorë të fortë farmaceutikë.
Këto janë të njëjtat mosmarrëveshje që kanë penguar negociatat gjatë gjysmëvitit të kaluar, por me afrimin e afatit të majit 2025, bllokimi i negociatave po bëhet akoma e më real.
Grupet e shoqërisë civile thonë se vendeve me të ardhura më të ulëta tani po u bëhet presion për të pranuar një marrëveshje që do u linte atyre me pak ‘leva’ për të negociuar.
“Vendet në zhvillim hezitojnë; një, sepse nuk kanë burime për të zbatuar detyrime të tilla (për parandalimin), dhe dy, sepse BE-ja dhe vendet e tjera të pasura nuk janë fleksibël në çështje të tjera,” thotë Piotr Kolczynski, këshilltar për politikat dhe avokimin në BE të Oxfam International.
Është gjithashtu e paqartë nëse liderët e BE-së dhe ato kombëtare janë po aq të përkushtuar ndaj solidaritetit ndërkombëtar sa ishin gjatë pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.