Kosova

Pas Tiranës, Dendias viziton Prishtinën. Osmani i kërkon njohjen e Pavarësisë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Presidenca e Kosovës, gjatë takimit me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy shteteve duke shpresuar që së shpejti të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.

Gjithashtu Osmani gjatë takimit ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë