Ana e errët

Pas të dehurve, të droguarit në timon nuk pyesin për arrestimet

Rreth 80 për qind e të akuzuarve për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt kanë qenë në gjendje të dehur. Megjithëse kjo shkelje është vepër penale, shqiptarët vijojnë t’i japin makinës nën efektin e pijeve alkoolike edhe atëherë kur e kanë tepruar apo kanë frekuentuar një festë. Të ndërgjegjësuar nga frika  janë fare pak.

“Ky është shkaku që ju shikoni në lokale të shumta patrulla policie, dhe kjo është një nga masat tipike të policisë së rendit”, shpjegoi zyrtari i lartë i policisë për Gazetën Si që kujtoi me këtë rast patrullat e shumta në ish-Bllok apo në zona që frekuentohen nga të rinjtë e natyrisht në to teprohet me përdorimin e pijeve.

“Grupet e policisë nuk është e rastësishme që lëvizin gjatë fundjavave dhe në orët e mbrëmjes, me këtë rast shtohen kontrollet ndaj drejtuesve të mjeteve, nga ku gjejmë shoferë të dehur mbi përqindjen e lejuar që më pas përfundojnë në qeli”, tha i njëjti zyrtar për Gazetën Si.

Edhe në buletinin e muajit maj 2021, INSTAT konfirmoi se 84 për qind e aksidenteve ndodhën për shkak të sjelljes së drejtuesit të automjetit, ku vërehet se ata që kanë gabuar në timon në pjesën dërrmuese janë të rinj nga mosha 25 vjeç deri në 34 vjeç me një volum çështjesh prej 24.2 për qind dhe 20 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

A. M. është një 32-vjeçar, i cili me fjalët që i ngatërroheshin kur e zbuluan të dehur në timon u lut vetëm për një gjë. “Mos më arrestoni sepse humbas punën, punoj në privat”. Por lutja e të pirit nuk u dëgjua. A. M sipas procesverbalit të policisë rrugore u prangos. Oficeri shkroi “rezulton se rreth orës 19.45 ndërsa drejtonte mjetin tip Opel me targa AA….A është përplasur me një mjet policie me targa AA..RR dhe pasi i është bërë testi i alkoolit me apart drager rezultoi që kishte konsumuar alkool në masën 0.81mg/l në testimin e parë dhe 0.83 mg/l në testimin e dytë”. Por nuk ishte përplasja e makinës së policisë që i kushtoi lirinë të riut, ishte gjendja e dehur.

Ç’bëjnë të tjerët?

T. SH e sfidoi policinë, duke e drejtuar mjetin me shpejtësi përpara drejtorisë vendore. Surpriza e hidhur ndaj tij ishte një tabelë që e urdhëroi të ndalojë dhe më pas befasia për policët ishte se i riu nuk kishte fare patentë. Policia rrugore në materialet që vendos në dispozicion për të riun shkruan:

“Konkretisht, rreth orës 14:30, shërbimet e policisë gjyqësore kanë konstatuar shtetasin T. SH në drejtim të automjetit me targa AA…, në rrugën “Sami Frashëri” pranë DVP Tiranë. Ky konstatim është bërë pasi i pandehuri T. SH ka kryer një manovër të rrezikshme  në drejtim të këtij automjeti. DRSHT Rrugore Tiranë me shkresën Nr. 1014/1, ka informuar se shtetasi T. SH nuk është i pajisur me leje drejtimi nga kjo drejtori”.

Kjo shkelje ishte e njëjtë dhe çoi në pranga edhe F. V, i cili në rrugën e Laknasit po ngiste një motor me shpejtësi të lartë. Ai nuk kishte as leje drejtimi dhe as motori nuk ishte i tij.

Volumi i lartë i të akuzuarve që përfundojnë në gjykatë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, pa llogaritur ata shoferë që shkaktojnë plagosje dhe humbje jetësh duket nga të dhënat zyrtare. Vetëm në Tiranë, nga një janari deri në muajin qershor 2021 janë gjetur fajtorë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt 416 persona, nga të cilët rreth 320 sipas burimeve të sigurta të Gazetës Si janë konstatuar duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Kjo e dhënë konfirmohet edhe nga gjykatat e tjera në Durrës, Fier, Vlorë dhe Sarandë që konfirmojnë se shifrat e të arrestuarve nga policitë rrugore për shoferë të dehur është e lartë.

Por reflektimi i tyre është i ulët

Një studim i qendrës “FOL”, që po monitoron çështjet e drogës dhe të shpërdorimit të detyrës ka zbuluar se bazuar në ndalimin e të rinjve me doza droge, disa prej tyre në kryeqytet janë zbuluar duke drejtuar mjetin në gjendje të droguar apo me doza hashashi në mjet. “Vlen për t’u shqetësuar – tha një agjent i antidrogës – kjo e dhënë tregon se shpërndarja e drogës mbetet alarmuese, dhe që si indikator nuk është çudi që të kemi dhe një lloj të ri aksidentesh të sjellë nga përdorimi i drogës. Përdoruesi është i pakujdesshëm apo nën efektin kryesisht të kokainës, drejton makinën me tejshpejtësi dhe kjo shkelje rrezikon jetën e një kalimtari”, shtoi agjenti i policisë për Gazetën Si.

Sakaq mbas aksidentit të rëndë në autostradën drejt Vlorës, ku një familje me katër anëtarë është shuar,  policia rrugore iu është rikthyer kontrolleve. Madje përdorimi i dronëve prej javësh po tenton të sensibilizojë qytetarët për gjobat që ju priten në distancë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, aksidentet automobilistike me pasoja në jetë njerëzish dhe gjymtim janë ndër më të lartat në rajon. Në to përfshihen edhe jetët e këmbësorëve që humbasin në qendrat urbane, shumë prej tyre nga mosrespektimi i sinjalistikës nga shoferët – deklaron policia rrugore e kryeqytetit që renditet e para për humbje jetësh të këmbësorëve në rang vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë