Futboll

Pas sukseseve në fushë, Napoli dhe Atalanta bëhen me stadiume të reja

Napoli nënkampion dhe Atalanta për herë të parë në Ligën e Kampionëve, janë pa dyshim lajmet më të mirë që futbolli italian po prodhon këtë sezon. Kur Juventusi dështoi në Champions dhe ekipe tradicionale si Interi, Milani apo Roma nuk janë në formën e tyre, suksesi i këtyre dy skuadrave është një lajm i mirë për Italinë. Më shumë se sa për Napolin ajo që i ka befasuar të gjithë është Atalanta. Ekipi nga Bergamo këtë sezon ka zhvilluar ndeshje që kanë për të hyrë në histori, teksa për momentin është i katërti në tabelë dhe në finalen e Kupës së Italisë.

Por përveç këtyre sukseseve të mëdha, për Napolin dhe Atalantën ka lajme të mira infrastrukturore. Të dyja klubet kanë nisur nga puna për rindërtimin e stadiumeve të tyre. Napoli ka filluar punën për rikualifikimin kapital të stadiumit “San Paolo” që disa herë ishte bërë problem për ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Impiantit pritet t’i ndërrohen të gjithë ulëset, duke i përafruar ato me standardet europiane. Por gjithashtu një pjesë shumë e kritikuar e këtij stadiumi siç janë tualetet dhe pjesët rekreative, bar kafetë dhe restorantet pritet t’i rinovohen dhe të shtohen si shërbime. Edhe mbulesa e stadiumit do të ndryshohet e gjitha. Puna ka filluar dhe besohet se nëse çdo gjë shkon sipas planeve, stadiumi mund të jetë plotësisht gati në fundin e sezonit të ardhshëm.

Edhe Atalanta po avancon me punimet për stadiumin e ri. Duke parë ecurinë në vitet e fundit, ku ekipi ka siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ka lindur njëkohësisht nevoja për një stadium të standardeve ndërkombëtare. Pas fitores me Udinezen filloi shembja e njërës prej tribunave anësore. Atalanta e ka rindërtuar stadiumin e saj më disa faza, ku fillimisht u rikualifikuan dy tribunat kryesore, ajo qendrore dhe ballorja. Tashmë si fazë e fundit do të jetë rindërtimi i tribunave prapa portave. “Atleti Axurri” pritet të jetë gati vetëm pas dy vitesh, ku të ketë përfunduar rindërtimi nga e para i të dy tribunave.

Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin italian, që në dekadën e fundit një nga problemet kryesore ka pasur atë të infrastrukturës. Në proces për të ndërtuar stadiumin e ri janë edhe Roma, Interi, Milani dhe Fiorentina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë