Ne rrjet

Pas Sirisë, Turqia nis trupat në Libi

Pas Sirisë, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka nisur dërgimin e droneve, tankeve, forcave speciale dhe njësive komando në Libi. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta britanike” "The Independent” e cila shkruan se Turqia po hap dy fronte konfliktesh, një në Libi dhe një në Mesdheun Lindor.

Ndërkohë që pushtimi ushtarak i Turqisë në Sirinë Veriore humbet vrullin, tensionet politike po rriten në një tjetër front. Erdogan njoftoi se Turqia do të dërgojë trupa në Libi për të mbështetur qeverinë e njohur nga OKB dhe sipas mediave mësohet se ka nisur nisjen e tyre.

Trupat turke, Gazeta Si, 2019

Pasi Erdogan u zotua të dërgojë trupat e tij në Libi, Qiproja Veriore e mbështetur nga Turqia u pajis me dronë për projektet e kërkimeve për gaz. Por krijimi i një baze ushtarake në Libi mund të jetë gabimi më i madh strategjik i Erdogan. Në veçanti, pasi ajo do të interpretohej si një sfidë ndaj Egjiptit dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Strategjia e Turqisë në Mesdhe dhe Libi mbështetet në dy qasje. Së pari, qeveria turke e di se nuk mund të shkëputet e vetme nga izolimi i saj, kështu që ka kërkuar dhe gjeti dy partnerë në rajon: Republikën Turke të Qipros Veriore dhe Libinë. Këta aleatë janë të dobët, por kjo i bën ata të manovrueshëm. Qiproja e Veriut varet nga mbështetja turke për ekzistencën e saj. Armiku i partisë libiane GNA, më të cilën Turqia lidhi marrëveshjen, ka mbështetjen e Arabisë Saudite, Rusisë dhe Egjiptit, disa nga rivalët më të mëdhenj të Turqisë.

Marina turke, Gazeta Si, 2019



Elementi i dytë i strategjisë së Turqisë mbështetet në përdorimin e një narrative historike për të mbrojtur të drejtat e turqve në rajon. Më 27 nëntor, Presidenti Erdogan u takua për dy orë me kreun e Qeverisë libiane, Fayez Sarraj. Ata dolën me dy memorandume mirëkuptimi, një mbi sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak dhe një tjetër të quajtur “Kufizimi i Juridiksioneve Detare.” Turqia e shoqëroi qëllimisht marrëveshjen detare me një seri premtimesh për sigurinë e Libisë, duke zgjeruar praninë detare turke në portet libiane, duke i dhënë Ankarasë mundësinë të kontrollojë këtë pjesë të Mesdheut.

Turqia e ka mbështetur Sarrajn ndër vite, pjesërisht për shkak të interesit të saj për rezervat e naftës në Libi ,e cila vlerësohet të jetë më e madhja në Afrikë dhe e 10-ta më e madhe në nivel global.

Në letër, Ankaraja e shtrin sovranitetin detar deri në brigjet e Kretës, dhe nëse do të zbatohej, do të bllokonte në mënyrë efektive çdo përpjekje të Greqisë për të zbatuar marrëveshjet e veta me Egjiptin, Izraelin dhe Qipron.

Zyrtarët turq kanë filluar t’i referohen “Atdheut blu”, konceptit se bregdeti lindor i Kretës dhe gjysma e detit Egje, gati 47 000 km katrorë i përkasin Turqisë. “Atdheu Blu” është një strategji që gëzon mbështetje të gjerë në Turqi, pasi e rikthen Ankaranë në kulmin e fuqisë gjeopolitike të perandorisë. Erdogan madje pozoi para një harte të Atdheut Blu kur prezantoi marrëveshjen. Sigurisht, Ankaraja është e vetëdijshme që koncepte të tilla shkelin sovranitetin grek dhe se çdo përpjekje për konsolidimin ushtarak mund të shkaktojë një krizë ndërkombëtare. Por qëllimi përfundimtar i Turqisë është imponimi i ndikimit të përhershëm turk në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë