Shtyhet sërish gjyqi në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për Emiljano Shullazin më 4 nëntor.
Shkak është bërë mungesa e avokatëve.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme është bërë zëvendësimi edhe i gjyqtares Etleva Temo, e cila u shkarkua nga Vettingu pak ditë më parë. Në vendin e saj u caktua Astrit Kalaja.
Gjyqi ka dy vite që shtyhet në Apel. Në gjykim së bashku me Shullazin janë edhe 4 të pandehurit e tjerë Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja.
Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani kanë kallëzuar penalisht në SPAK ish-kryeprokuroren Arta Marku dhe ish-prokuroren, Donika Prela, e shkarkuar nga vettingu më 25 shtator. Dy të dënuarit akuzojnë Markun dhe Prelën për shpërdorim detyre për rrjedhjen e informacioneve në media gjatë procesit gjyqësor ndaj tyre.
Prej nëntorit 2018, procesi gjyqësor ndodhet i bllokuar në gjykatën e Apelit, ku herë për mungesë të gjyqtarëve dhe herë për mungesë të avokatëve, kjo situatë nuk po merr zgjidhje, duke u shtyrë pa fund një ndër proceset më të rëndësishme që ndodhet në këtë gjykatë. Në seancën e kaluar u shty për shkak të mungesës të avokatëve mbrojtës.
5 të pandehurit akuzohen nga prokuroria për “Shtrëngim me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të organizuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të armëve” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




