Nga Gazeta ‘SI’ – Dita e fundit e korrikut nisi me një rritje të konsiderueshme të çmimit të naftës në vend. Këtë të hënë, në pikat e karburanteve Kastrati, më i madhi në vend, një litër naftë shitet me 185 lekë, me rritje 6 lekë nga java e shkuar.
Në pikat e karburanteve të kompanisë Elda një litër naftë shitet me 184 lekë.
Rritje të fortë ka pësuar dhe benzina, e cila shitet me 188 lekë, nga 182 që ishte një javë më parë.




Kjo është rritja e dytë e çmimeve të karburanteve brenda pak ditëve, vetëm disa javë pasi u shkri Bordi i Transparencës, që kontrollonte këtë treg. Rritja e kësaj here ishte më e lartë se ajo e para, ku çmimet lëvizën me 3 lekë mesatarisht.
Arsyetimi i rritjes së çmimit është ai i rritjes së çmimit të saj në bursa ndërkombëtare. Tani nafta Brent shitet me 85 dollarë/fuçi në bursë nga 75 që ishte kur u shkri Bordi. Gjithsesi OPEC kishte paralajmëruar rritje të çmimit të naftës në botë si pasojë e reduktimit të sasisë së saj në treg, që para vendimit në vendin tonë. Atëherë ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se qeveria ka vendosur ta shkrijë Bordin pasi ‘misioni i tij ka përfunduar’ dhe se çmimet e naftës po stabilizoheshin.
Në panoramën lokale, grosistët e naftës janë ndër palët e pakta që fituan nga zhvlerësimi i valutave në vend, specifikisht dollarit me të cilën bëhet tregtia e karburanteve në botë. Zhvlerësimi i dollarit kundrejt lekut pritej të sillte një rinie të vlerës së naftës, por kjo nuk ndodhi. Pas një jave korrigjimi, ku valutat u rikuperuan ndaj lekut, kjo javë riktheu përsëri zhvlerësimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




