Nga Gazeta Si- Pak orë pas incidentit të regjistruar në KZAZ nr.27, në qytetin e Vorës, ku Flamur Noka u përplas verbalisht dhe fizikisht me aktivistë të Partisë Socialiste, policia ka proceduar në gjendje të lirë Sekretarin e Përgjithshëm të PD.
Siç bën me dije policia, incidenti i ndodhur në qendrën e votimit në Vorë, është referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa materialet do të dorëzohen edhe në SPAK. Noka është kallëzuar për pengim dhe kanosje të ushtrimit të vullnetit politik të zgjedhësve.

Policia sqaron se procedimi ndaj Nokës ka nisur pas kallëzimeve të bëra nga shtetasit Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, se deputeti i PD “i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit”.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pasi komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. N, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Procedimi në gjendje të lirë nisi pasi në bazë të kallëzimeve të shtetasve Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, ky shtetas ditën e sotme, në Vorë, i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit. Materialet procedurale do t’i referohen Spak, për hetime të metejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më herët, pas sherrit të Nokës me qytetarët, KQZ ka marrë vendimin duke hequr të gjithë vëzhguesit në Vorë.
Në dokumentin e publikuar, KQZ ka vendosur “Revokimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve, për KZAZ-në nr. 27, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, përveç vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave”.
Disa orë më parë, sekretari i përgjithshëm i PS Flamur Noka është konfliktuar me disa votues të cilët i ka cilësuar si të blerë nga PS ndërkohë që qytetarët kanë reaguar ashpër, duke i thënë se është mashtrues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




