Nga Gazeta ‘SI’ – Transporti ajror dhe detar në Shqipëri shënoi nivele rekord gjatë vitit 2025, por të dhënat tregojnë se ritmet e rritjes kanë hyrë në një fazë ngadalësimi, pas shpërthimit të fortë të viteve të fundit.
Sipas INSTAT, nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit kanë udhëtuar 11.6 milionë pasagjerë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me vitin 2024, rritja ishte 8.7%, një normë pozitive, por shumë më e ulët se rritja e jashtëzakonshme prej 47% e shënuar një vit më parë.

Edhe pse fluksi i pasagjerëve vijon të rritet, ngadalësimi sinjalizon një konsolidim të tregut.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, në transportin ajror operuan 28 shoqëri ajrore, pothuajse të gjitha të huaja, ndërsa vetëm një ishte shqiptare. Hapësira ajrore shqiptare u përshkua kryesisht nga fluturime tranziti, ndërsa numri i pasagjerëve që udhëtuan me linja ajrore shënoi një rritje vjetore gati 10%.
Edhe transporti ajror i mallrave vijoi trendin rritës, me shtim të volumit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndonëse pesha e tij mbetet shumë e vogël në totalin e importeve të vendit.
Transporti portual
Në transportin detar, porti i Durrësit mbetet nyja kryesore për mallrat, duke përqendruar pothuajse të gjithë volumin e transportuar me det. Rritja e volumit të mallrave ishte e moderuar, ndërsa llojet kryesore të mallrave vijuan të jenë produktet e naftës, metalet dhe materialet minerale.
Sa i përket transportit të pasagjerëve, portet turistike të Sarandës dhe Vlorës ishin motorët kryesorë të rritjes gjatë vitit 2025, veçanërisht gjatë sezonit veror. Numri total i pasagjerëve që udhëtuan përmes porteve shqiptare arriti në rreth 1.7 milionë persona, me një rritje vjetore mbi 6%. Porti i Durrësit është porti nga i cili kanë udhëtuar 62% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Sarandës me 30.8 % dhe më pas porti i Vlorës me 7.3 %.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



