Ngjarje

Rikthehet pjesërisht pas 5 ditësh uji në Vlorë, riparohet defekti i tubacionit

Gazeta Si – Pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm, defekti në tubacionin kryesor të furnizimit në Vlorë është riparuar pas mesnatës së kësaj të marte.

Rregullimi i tubit u përfundua rreth orës 04:00 të mëngjesit, moment kur nisi edhe furnizimi i depove të qytetit.

Aktualisht, një pjesë e qytetit të Vlorës po furnizohet me ujë, konkretisht zona e Lungomares, ndërsa zonat e tjera pritet të marrin furnizim gradualisht gjatë orëve në vijim.

Megjithatë, furnizimi nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar po i nënshtrohet fazës së testimit për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar përfundimin e riparimit të avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë, duke bërë të ditur se sistemi i prodhimit është rikthyer në funksion që në orët e para të mëngjesit.

Sipas njoftimit zyrtar, zonat me furnizim 24-orësh kanë nisur tashmë marrjen e ujit, ndërsa pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet gradualisht gjatë orëve të pasdites.

Nga 3 fasheta të sjella nga Turqia, për riparimin e çarjes së tubacionit kryesor në qytetin bregdetar, do të përdoret vetëm 1, ndërsa 2 të tjerat do të ruhen në raste të tilla emergjence.

Mungesa e ujit të pijshëm në rubinete shkaktoi reagimin e qytetarëve që protestuan përpara bashkisë për disa orë, duke kërkuar takim me drejtuesit për zgjidhjen e këtij problemi.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi, sqaroi se ndërprerja e furnizimit me ujë të pijshëm erdhi si rezultat i shkarjes së dheut dhe depërtimit të ujit në linjën e vjetër.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cilësoi këtë avari si një fatkeqësi natyrore, dhe se ujësjellësi nuk është në varësi të institucionit që ajo drejton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë