Politike

Pas përplasjeve në distancë, mbreti Charles bën bashkë Ramën dhe Kurtin (video)

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa pak ditë më parë u përplasën në distancë në lidhje me një protestë që u zhvillua në Tiranë për ish-liderët e UÇK-së, kryeministri Edi Rama është takuar më homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri shqiptar shfaqet afër Kurtit, në një pritje për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, që u mbajt dje në Londër.

Në pamjet shihet dhe mbreti Charles i Britanisë së Madhe, që takohet me Ramën dhe Kurtin, e më pas edhe me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht ishte faqja zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje që akuzonte Ramën si mbështetësin më të madh të “Speciales”, por më pas erdhi edhe reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, që hidhte akuza se VV-ja i donte në burg ish-krerët e UÇK-së.

Në këtë samit marrin pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si edhe përfaqësues të vendeve të BE-së dhe të Britanisë së Madhe, e cila këtë vit ka kryesinë e procesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë