Kosova

Pas përplasjes Kurti-Vuçiç, BE po mendon të ndalojë dialogun Kosovë-Serbi

Pas përplasjes së ashpër në Bruksel mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Albin Kurti, Beogradi ka sinjalizuar sot se dialogu dy-palësh mos të mos vazhdojë më.

Kryetari i Parlamentit serb, Ivica Daçiç u shpreh në një intervistë se BE po mendon të ndalojë dialogun në Bruksel të vazhdojnë nëse nuk ka rezultate të prekshme. Ai tha se situata është e vështirë dhe se ka folur me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Lajçak tha se nuk do të organizonte takime të tilla nëse nuk do të kishte rezultate, por është e qartë se ai ka durim. Unë mendoj se është mirë të kesh durim dhe se është më mirë të ulemi dhe të flasim sesa të krijojmë probleme në terren, por kjo është një çështje perspektive, sepse Kurti padyshim nuk dëshiron të merret me temat që janë në agjendë”, tha Daçiç.

Daçiç se vija e kuqe e delegacionit serb është njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe se “gjithçka tjetër nuk mund të bëjë dëm” Ish-ministri i Jashtëm serb vlerësoi se do të jetë e vështirë të ketë dialog edhe në vazhdim nëse nuk ka rezultate të prekshme.

Çfarë ndodhi gjatë takimit

Pasi e hodhi si ide që në përballjen e parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka vënë në tavolinë të hënën presidentit serb, Aleksandër Vuçiç një marrëveshje konkrete, duke i kërkuar ta nënshkruante.

 Kurti tha se Vuçiç jo vetëm që refuzoi ta nënshkruajë por edhe ta lexonte propozimin me gjashtë nene. Ai e po e cilëson këtë draft si një deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën do ta paraqesë në të gjitha takimet pasardhëse.

Takimi u cilësua si i vështirë nga të dyja palët. Pas takimit, Kryeministri Kurti deklaroi se nuk është e lehtë të dialogosh me palën serbe, ndërsa tha se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën. Madje Vuçiç deklaroi në një intervistë se nga të gjithë liderët e Kosovës me të cilët ka biseduar, Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Avdulla Hotin, Kurti ishte më i vështiri për t’u patur përballë në tavolinën e negociatave.

Nga ana tjetër, Kurti thotë se pala serbe nuk ka interes të dëgjojë asnjë propozim që vjen nga ana shqiptare.

“Ne kemi prezantuar në takim një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, e cila u refuzua, pa u lexuar fare. Zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi ka lexuar pikat që paraqesin pengesa në raportet tregtare të Kosovës me vendet e tjera, që ne kërkuam të hiqen, por as kjo nuk u pranua”, theksoi Kurti. Por, çfarë përmban në tërësi kjo marrëveshje?

Mediat në Kosovë kanë siguruar marrëveshjen e propozuar dje në Bruksel, në të cilën Kosova propozon që dy palët të zotohen të ndalin agresion dhe të mos sulmojnë ushtarakisht njëra-tjetrën.

Marrëveshja e propozuar nga Kurti thotë se:

“Ne zotohemi reciprokisht që të përmbahemi nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit si dhe solemnisht marrim përsipër të bëjmë përpjekje me mirëbesim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në një mënyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë. Do të përmbahemi nga sulmet ndaj njëri-tjetrit, agresioni ushtarak, armiqësitë e armatosura ose konflikti i dhunshëm si mjete për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje që mbetet e pazgjidhur apo ndonjë mosmarrëveshjeje në të ardhmen. Marrim përsipër që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të zgjidhur, përmes mjeteve ekskluzivisht paqësore, të gjitha mosmarrëveshjet aktuale ose të ardhshme apo çështjet që mund të nxitin mosmarrëveshje mes nesh”, thuhet në marrëveshjen e propozuar nga Kurti.

Në marrëveshjen e propozuar nga pala kosovare janë gjashtë nene, në të cilat Kosova dhe Serbia do të zotoheshin për respektim të kufijve, reciprocitet në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe pakicace, zgjidhje paqësore e mosmarrëveshjeve, mbështetja e ndërsjellë e procesit të integrimit europian dhe dispozitat përfundimtare ku thuhet se deklarata në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe, nënshkruhet në prani dhe dëshmi të përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, Kosova ka paraqitur edhe dokumentin për hapat e nevojshëm për të siguruar tregtinë e lirë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi si dhe praninë e ndërmjetësuesit të BE-së që të kërkoj nga Beogradi heqjen e të gjitha këtyre barrierave brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe të mundësojnë qasje të barabartë në tregti për të gjithë eksportuesit kosovarë”, thuhet ndër të tjera në propozim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë