Gazeta Si – A ekzistojnë kushtet, si ushtarake ashtu edhe gjeopolitike-diplomatike, për një paqe “të mirë” në Ukrainë – domethënë, një paqe të drejtë që rivendos parimet e së drejtës ndërkombëtare? Ndoshta jo.
Donald Trump po menaxhon një situatë tragjike dhe të dëshpëruar në një mënyrë të dështuar, të paqartë dhe shqetësuese, një situatë të krijuar nga shumë liderë para tij: qeveritë evropiane të njëzet viteve të fundit (Angela Merkel e para dhe më kryesorja), të nënshtruara ndaj Putinit, dhe tre presidentë amerikanë të paaftë për të ndaluar agresionin rus (Bush, Obama, Biden).
Nëse nisemi nga ky vëzhgim realist – një armëpushim, një paqe e përkohshme, nëse ndonjëherë realizohet, do të bazohet në lëshime të konsiderueshme ndaj agresorit – atëherë duhet të përgatitemi për atë që vjen më pas: domethënë, për planet e ardhshme të Putinit. Nëse ai merr qoftë edhe gjysmën e asaj që pretendon se dëshiron, do të ngushëllohet nga siguria se “krimi paguan”.
Ekspansionizmi rus do të jetë në gjendje të kthehet diku tjetër. Dhe çfarë bëjmë ne për të mbrojtur veten? Pra, një paqe e përkohshme ose e padrejtë në Ukrainë mund t’i hapë rrugë një konflikti të ri brenda pesë viteve.
Paralajmërimi vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha në qershor 2025 se “Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën kundër nesh brenda pesë vitesh”.
Sipas analistëve perëndimorë, çdo marrëveshje paqeje që i jep Moskës avantazhe territoriale, do ta bindë Vladimir Putinin se “agresioni shpërblehet”. Dhe kjo mund ta shtyjë Rusinë të zgjerojë ambiciet e saj ushtarake drejt vendeve të tjera europiane.
Një studim i Florence Gaub dhe Andreë Monaghan, “How Russia sees the next war” (“Si Rusia e sheh luftën e radhës”), tregon se Kremlini nuk e sheh luftën si opsion ekstrem, por si një konflikt të pashmangshëm afatgjatë.
Moska po përgatitet për një përplasje të mundshme me të gjithë vendet e NATO-n, jo thjesht për operacione të kufizuara si në Ukrainë.
Ekspertët paralajmërojnë se duke u fokusuar vetëm te skenari i pushtimit të vendeve baltike, Perëndimi rrezikon të anashkalojë opsione të tjera të mundshme të agresionit rus.
Deklaratat e shefit të Ushtrisë Franceze, gjeneralit Fabien Mandon, i cili foli për “gatishmërinë për sakrifica njerëzore” në rast agresioni, shkaktuan reagime të forta politike në Francë.
Qeveria u detyrua të sqaronte se “francezët nuk do të dërgohen të luftojnë në Ukrainë”.
Reagimi i ashpër tregon hendekun e madh mes elitës ushtarake, që e sheh rrezikun real të një lufte, dhe opinionit publik europian, që refuzon çdo ide për mobilizim.
Një tjetër alarm vjen nga rritja e kapaciteteve ruse në teknologjinë e dronëve. Qendra “Rubicon”, e krijuar në vitin 2024, kombinon kërkimin, prodhimin dhe përdorimin në front në mënyrë të përqendruar dhe efikase.
Sipas vlerësimeve, Rusia po e shndërron luftën në një konflikt gjithnjë e më të automatizuar, ku dronët dhe inteligjenca artificiale luajnë rol kryesor.
Ekspertët thonë se Europa dhe SHBA duhet të investojnë urgjentisht në teknologji ushtarake, robotikë, sistemet autonome dhe prodhim më të shpejtë të pajisjeve mbrojtëse.
Ndërkohë që burimet njerëzore janë të kufizuara, “njeriu duhet të jetë në plan të dytë, makina në plan të parë”, theksojnë analistët.
Nëse Rusia është vërtet e gatshme për agresion brenda pesë viteve, siç paralajmërojnë doktrinat e saj ushtarake, çështja kryesore nuk është nëse do të ketë luftë, por nëse Perëndimi do ta presë i përgatitur.
Marrë nga: “Corriere della Sera”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



