Futboll

Pas ndeshjes pica e birrë… Ishujt Scilly dhe kampionati më i vogël në botë

Imagjinoni që ndeshja që zhvilloni me miqtë, një ngjarje që përsëritet çdo javë për të vënë në lëvizje muskujt dhe që pasohet nga ndonjë picë dhe një birrë, të njihet nga federata si një kompeticion zyrtar. Diku kjo histori është realitet. Ishujt Scilly janë një bashkim ishujsh përballë brigjeve të Cornwall, Angli. Ka pak banorë, pak më shumë se 2.000, vizitohet nga turistët apo ata që kanë dëgjuar për bukuritë e peizazhit. Por Ishujt Scilly mund të mburren me një rekord të paprecedentë, duke pasur parasysh se në territorin e tyre zhvillohet kampionati më i vogël në botë i futbollit. Në fakt, marrin pjesë vetëm dy skuadra: Wailpack Wanderers (me uniformën e verdhë-blu) dhe Gunnison Garrison (me uniformën kuqe-kaltër).

Turneu u krijua në vitin 1962 dhe është pjesë e divizioneve amatore të Federatës Angleze të Futbollit; si pasojë është një kampionat zyrtar në të gjitha aspektet edhe pse zhvillohet me vetëm dy skuadra. Por nuk mbaron me kaq: sezoni, i përbërë nga 17 ndeshje, përfshin edhe Kupën Kombëtare, Kupën e Ligës, Super Kupën e Ligës dhe ngjarjet e tjera të veçanta, të tilla si ndeshja midis lojtarëve të rinj dhe legjendave që zhvillohet në Ditën e Krishtlindjeve (Boxing Day). Shkurtimisht, çdo mundësi është e mirë për të luajtur.

Dikur në Scilly zhvillohej një turne mes ishujve, ku merrnin pjesë ushtarët që ndodheshin aty. Filloi në vitet ’20, por me kalimin e kohës nuk u zhvillua, për shkak të shpopullimit dhe migrimit të banorëve të rinj, të cilët lëvizën diku tjetër për arsye studimi. “Merkato” është shumë unike dhe është përkufizimi I futbollit në rrugë: para fillimit të sezonit dy kapitenët zgjedhin lojtarët që preferojnë!

Ndeshjet zhvillohen të gjitha në ishullin e St. Mary. Ndonjëherë, dy ekipet rivale bashkohen në një përzgjedhje të vetme lokale që merr emrin Newlyn Non Athletico, që renditet në mesin e ekipeve të kategorisë së katërmbëdhjetë së futbollit anglez. Për banorët e këtyre ishujve është e vështirë të luash në një turne më të rëndësishëm, sepse lojtarët janë amatorë dhe luajnë vetëm në fundjavë. Si rezultat, ata preferojnë këtë mikro-ligë, e cila ngjall kuriozitet në të katër anët e globit. Krijimi i ekipeve të reja është e vështirë. Me përjashtim të St. Mary, ishujt e tjerë janë pak të populluar. Vendi i dytë më i populluar, Tresco, ka vetëm 200 banorë.

Në vitin 2008 turneu kishte momentin e lavdisë kur Adidas zgjodhi Ishujt Scilly për të promovuar fushatën e saj reklamuese “Dream Big”, duke sjellë lojtarë si Beckham, Gerrard dhe Vieira në tempullin e Gunnison Garrison. Ka edhe tifozë autentikë që japin jetën për një turne unik të këtij lloji. Mërzitja nuk ekziston, sepse ekipet zakonisht e ndryshojnë përbërjen shumë shpesh. Ajo që e bën edhe më interesante është edhe klima e Cornwall, ku era bën që topi të lëvizë në një drejtim tjetër. Shkurtimisht, nëse ju bie rruga nëpër ishujt Scilly, nuk mund të mos shkoni në stadium. Shmangni pyetjen “kush luan?” Sepse do të ishte e papërshtatshme!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë