Politike

Protesta e PD mbyllet me molotovë dhe tensione, shtatë efektivë të lënduar (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Në protestën e PD, u përsërit i njëjti skenar si në protestën e 24 janarit ku pati incidente të shumta, me protestuesit që hodhën flakadanë, shishe molotovi, gurë dhe fishekzjarre.

Situata u tensionua pasi një grup militantësh opozitarë hodhën bomba molotov dhe fishekzjarrë teksa protesta ishte zhvendosur tek godina e parlamentit.

Molotovi u hodh në mes të turmës ku kishte protestues, por edhe punonjës policie.

Policia raportoi se nga këto incidente u dëmtuan shtatë punonjës policie, pasi bombat janë hedhur shumë pranë tyre dhe qytetarëve duke krijuar kaos.

Ata janë transportuar për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie e dëmtime fizike nga sendet e forta.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobote me ujë për të shuar flakët dhe për të shpërndarë protestuesit.

Pasi policia hodhi gaz lotsjellës, protestuesit u zhvendosën nga zona para parlamentit. Një pjesë u drejtua për nga pedonalja, një pjesë tjetër drejt rrugës së Elbasanit dhe një pjesë drejt selisë blu.

Pas disa minutash, një pjesë e tyre u rikthyen por policia i parapriu situatës duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës.

Kujtojmë se edhe në protestën e fundit, atje ndodhën përplasjet më të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë