Partia Socialiste cakton katër emra si pjesë e grupit të koordinatorëve të veriut. Sipas burimeve mësohet se janë Musa Ulqini, deputet i PS-së, Senida Mesi, ish-zvkryeministrja dhe Luan Harusha deputetë të qarkut të Shkodrës, si dhe sekretari organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi.
Ky është vendimi i marrë nga PS-ja që ka caktuar koordinatorët, të cilët do të monitorojnë procesin e ringritjes së degës së PS-së për Shkodrën, por mbi të gjitha do të merren edhe me emërimet e drejtorëve rajonalë.
Grupi i koordinatorëve u caktua pas largimit të Valdrin Pjetrit, i cili dha dorëheqjen pas akuzave të PD për dënimin dhe dëbimin e tij në Itali. Pjetri veç zgjedhjes si kryetar bashkie, u caktua nga Rama edhe si drejtues i qarkut të Shkodrës, duke ia hequr këtë detyrë ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Pas dhënies së dorëheqjes së Pjetrit, Rama ndërmori vendimin ekstrem për t’i kërkuar të gjithë drejtorëve rajonalë që të japin dorëheqjen dhe në vend të tyre të emëroheshin gra. Kjo u vendos në mbledhjen më të fundit që pati Kryesia e PS-së, si dhe mes anëtarëve të këshillit bashkiak dhe me drejtorët rajonalë.
Kryesia e PS-së vendosi që të mos të ketë një të deleguar të caktuar, por të punohej në grup dhe për këtë janë zgjedhur tre deputetë që kanë njohje dhe lidhje me Shkodrën, ndërsa Pëllumbi u caktua për faktin se është sekretar organizativ.
Vendimet e kryesisë s PS-së, u kontestuan nga deputeti Ditmir Bushati, i cili në reagimet e tij u shpreh se situata në Shkodër nuk zgjidhet me dorëheqje apo dhe me shkrirje të strukturave, por me ndjesë, duke nënkuptuar se Rama duhet t’i kërkonte falje socialistëve të Shkodrës për kandidaturën e Valdrin Pjetrit.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjithashtu ka dalë edhe kundër faktit se njerëz si deputeti Tom Doshi po kanë ndikim në vendimet e PS-së së Shkodrës, duke përzgjedhur pse jo edhe kandidaturat apo dhe drejtuesit e rinj. Bashkia e Shkodrës ka mbetur në ngërç, pa një kryetar të sajin. Ndërsa është konstituuar këshilli bashkiak dhe është zgjedhur kryetarja e këshillit, për kryetarin e bashkisë zgjidhja mbetet pezull. Përflitet që këshilli mund të emëroj një nënkryetar bashkie, ndërsa një ide është mazhoranca të ndryshojë Kodin Zgjedhor, duke shmangur presidentin për situata të tillë. Pra presidenti nuk mund të nxjerrë dekrete, por çështja mund t’i kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




