Ndërtimi dhe rinovimi i stadiumeve të futbollit në vitet e fundit në vend, sa vjen dhe shtohet. Pas atyre në Shkodër e Elbasan që janë përfunduar dhe atij në Tiranë që po shkon drejt fundit, apo impiantit në Kukës që fillon për pak javë, një tjetër qytet pritet të bëhet me stadium të ri. Është stadiumi “Skënderbeu” në Korçë i radhës që pritet të rinovohet dhe të bëhet i përshtatshëm me kushtet e sotme europiane. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në qytetin verilindor. Rama ishte në Korçë në një takim me qytetarë, i shoqëruar edhe nga ministrja Elisa Spiropali, ku iu ka bërë me dije të gjithëve se stadiumi i Korçës do të jetë i radhës që pritet të rindërtohet, pasi ky qytet e meriton për vetë rezultatet që ekipi i Skënderbeut ka arritur në vitet e fundit.

“Do fillojmë ndërtimin e stadiumit të Kukësit. Përveç Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, do bëjmë edhe të Kukësit. Duke pasur edhe Elisën deputete, që ka një dobësi për Skënderbeun, ka mundësi që radhën pas Kukësit ta ketë Skënderbeu. Përtej shakasë, kjo lidhet me planin, aty ka edhe një hotel në zonën midis fushave dhe stadiumit, që shpresojmë dhe urojmë të jetë një shembull për turizmin e nivelit të lartë. Plani ka edhe stadiumin, rindërtimin e stadiumit. Korça e meriton, por edhe zona nuk mundet, që pas këtij modernizimi, të lëmë stadiumin në atë gjendje qesharake. Ne do investohemi seriozisht për ta ndërtuar një stadium model, të standardeve dhe të shijeve të bukura, që është vendosur këtu në Korçë.” u shpreh Rama.
Vlen të përmendet se më herët Rama pati premtuar një stadium të rindërtuar edhe në qytetin e Vlorës, por ky i fundi ka mbetur vetëm në letër, pasi deri më tani nuk është bërë asgjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




