Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt ka folur për herë të parë, pasi sulmit që iu bë banesës së tij, ku të rinjtë e forumeve politike shkruan në murin e pallatit të tij “Turp për ju”. I ftuar në konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”, Borchardt ka folur dhe për politikanët e sotëm shqiptarë. Sipas ambasadorit, akoma në vendin tonë hijet e diktaturës totalitare janë prezente.
“Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit. Mjerisht, e dëgjoj tepër shpesh këtë diskurs diktatorial nga tepër politikanë të spektrit politik shqiptar, që nga rënia e regjimit komunist deri në ditët e sotme. Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit”e kupton politikën dhe jetën publike. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat”, tha diplomati në fjalën e tij.

Ambasadori duke iu referuar filozofit Karl Poperit, hoqi edhe paralele me çështjen e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e qeverisjes. “Poper formuloi një alternativë të fuqishme kundër idesë së “vullnetit të përgjithshëm”si formë legjitimi për pushtetin. Ai na mësoi se pyetja “kush duhet të qeverisë” është e gabuar. Kjo pyetje ka çuar në diktaturat mizore të shumicave, në “vullnetin e përgjithshëm” të mishëruar në një udhëheqës të vetëm, ose në “vullnetin e proletariatit” të mishëruar në partinë komuniste, apo në vullnetin për të shfarosur popullsinë hebraike të mishëruar te Fyhreri. Pyetja që Popper ofron si alternativë është: Si të kontrollojmë përdorimin e pushtetit, si të pengojmë abuzimin e pushtetit? Zgjedhjet e rregullta me pjesëmarrje të gjerë, institucionet e pavarura, shteti ligjor i pakorruptuar, shoqëritë e hapura, ku qytetarët kanë të drejtën e informimit, në mënyrë që të kontrollojnë pushtetin dhe të marrin vendimet duke pasur në dorë faktet – janë përgjigjet e tij thelbësore”, theksoi Borchardt.
Diplomati e mbylli fjalën e tij duke theksuar se Shqipëria ka ende mjaft rrugë për të bërë përpara se të arrijë në këtë stad ideal dhe Prezenca e OSBE-së, ndodhet për ta ndihmuar Shqipërinë që të vijojë të ecë në këtë rrugë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




