Politike

Pas kërcënimit me dorëheqje, Meta kërkon dialog

Në 80-vjetorin e rezistencës ndaj fashizmit, Presidenti Ilir Meta iu rikthyer çështjes së krizës politike në vend. Nga Durrësi, ku mori pjesë në ceremonitë përkujtimore kushtuar 7 Prillit, ditës kur nisi pushtimi i Italisë fashiste më 1939, kreu i shtetit foli me terma më të zbutur se deklarata e bërë në Pogradec disa ditë më parë.

Këtë herë, Meta u shpreh besimplotë tek dialogu.

“Zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë, Kushtetues, institucional dhe demokratik dhe unë besoj që pas 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis politikanët e përgjegjshëm kudo që ndodhen në shumicë, apo opozitë të tregojnë që në këto 22 vite që Shqipëria ka bërë përparime dhe nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe demonstrimeve të forcës, mitingjeve dhe antimitingjeve të panevojshme”, tha ai.

Meta kërkoi që kriza të zgjidhet sa më parë, duke qenë se vendi është në prag të sezonit turistik, i cili që tani e ka ndjerë peshën negative të krizës.

Disa ditë më parë, nga Pogradeci, Presidenti kërcënoi me dorëheqje dhe foli për rrezikun e instalimit të një junte ushtarake në vend.

“Nuk kemi gjykatë kushtetuese. Po cenohet rendi kushtetues. Veprimi i opozitës i dënueshëm dhe i papranueshëm. Kuvendi ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 që nuk dogjën mandatet çdo numër tjetër është i kundërshtuar në të gjitha planet, politike, ligjore, morale. Kriza nuk zgjidhet as me retorikë, as me metoda policore, por me dialog dhe përpjekje serioze. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për Shqipërinë. Si president kam bëre çdo përpjekje për të parandaluar krizën. Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Allende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë