Trashëgimi

Pas grabitjes së Luvrit, rriten masat e sigurisë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë

Nga Gazeta “SI”- Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë  janë vendosur masa të reja sigurie për të parandaluar vjedhjen dhe trafikimin e objekteve arkeologjike. Përveç patrullimeve të rregullta, tashmë po përdoret edhe një dron për të monitoruar zonat me intensitet arkeologjik dhe territoret përreth parkut.

Ekspertët dhe përfaqësuesit e organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” kërkojnë forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes, pasi Apolonia e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 470 hektarësh dhe mbetet shpesh në shënjestër të trafikantëve të artefakteve.

“Takimi i sotëm është pjesë e një programi që bazohet në marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të nënshkruar në vitin 2021, e cila synon të ndalojë tregtinë e paligjshme të objekteve të trashëgimisë kulturore,” u shpreh për mediat Eleni Mamani, eksperte pranë “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

Parku shtrihet në një territor të gjerë, ku objekte të lashta janë zbuluar edhe në zonat përreth, përfshirë Pojanin, Povelcën dhe Radostinën.

Drejtoresha e Parkut Arkeologjik, Ornela Dyrmishi, theksoi se siguria është forcuar ndjeshëm vitet e fundit.

“Masat janë rritur vazhdimisht, jo vetëm me trajnimin e stafit dhe përmirësimin e infrastrukturës ndihmëse, por edhe me monitorimin e vazhdueshëm të territorit,” deklaroi ajo.

Pas ngjarjeve të fundit ndërkombëtare, përfshirë edhe vjedhjen spektakolare në Luvër, ekspertët vlerësojnë se mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbetet ende sfidë.

Në vitin 2017, policia e Fierit arrestoi dy persona dhe sekuestroi 230 objekte antike të vjedhura nga zona përreth Apolonisë, që ishin destinuar për tregun e zi ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë