Me urdhër të SPAK, policia ka arrestuar mëngjesin e të hënës dy zyrtarë të tjerë në Bashkinë e Lushnjës pas ish-kryetari Fatos Tushe.
Në pranga kanë rënë nënkryetari i bashkisë, Gentian Nushi, si edhe Drejtori i Prokurimeve, Leonard Sefa. Të dy ata akuzohen për abuzime me procedurat e tenderit për asfaltimin e një rruge.
Sipas prokurorisë, në këtë procedurë prokurimi të zhvilluar nga Bashkia Lushnjë, në vitin 2020, janë zbuluar shkelje ligjore, të kryera Gentian Nushi me detyrë nën kryetar bashkie dhe Leonard Sefa, me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Prokurimeve/Juridike.
Ata akuzohen për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, dy të arrestuarit në bashkëpunim me personat e tjerë nën hetim, Kryetarin e Bashkisë Fatos Tushe dhe zyrtarë të tjerë, kanë bërë të mundur që këtë procedurë prokurimi ta fitonte me dokumentacion firma EURO – ALB shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.
Ndërkohë Nushi dhe Sefa akuzohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme edhe gjatë tri procedurave të tjera prokurimi, të organizuara nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike e Bashkisë Lushnje.
“Në të gjitha këto procedura prokurimi është konstatuar se procedura e përpilimit/hedhjes së dokumenteve të këtyre tenderave dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer nga personat nën hetim G. N. dhe L. S. dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së, duke kryer një procedurë fiktive, të organizuar dhe ekzekutuar nga personat nën hetim G. N. dhe L. S., dhe duke kualifikuar O.E. të paracaktuara dhe me oferta më të larta financiare”, sqaron SPAK.
Pas arrestimit të dy zyrtarëve të Baskisë Lushnjë, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyrat e tyre.
Në korrik të këtij viti, në pranga ka rënë dhe kreu i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe disa zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen se kanë favorizuar një kompani për marrjen e tenderit për kanalin vaditës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.