Treg

Pas “Ernest Airlines” dhe "Belle Air" të falimentuar, qëndron e njëjta familje

Pas kompanisë "Ernest Airlines" fshihet familja Xhelo, e njëjta familje që zotëronte dhe falimentoi kompaninë tjetër të fluturimeve "Belle Air".

Report TV pas një investigimi që ka kryer për këtë çështje, ka zbuluar se bashkëthemeluesja e re e "Ernest Airlines" quhet Ilza Xhelo dhe është një shqiptare 35-vjeçare, e bija e pronarit të Belle Air, Ilir Xhelo.

Në një intervistë për gazetën ekonomike italiane “Il Sole 24 ore” Ilza Xhelo është prezantuar si bashkë-themeluese e shoqërisë së fluturimeve, që lindi në Itali me kapital suedez si start up, thmeleuar nga miliarderi Markus Persson një i ri 30-vjeçar që u pasurua duke shitur Aplikacionin Minecraft në Microsoft për më shumë se një miliard dollarë. Pasi bleu vila luksoze në zonat më ekskluzive në të gjithë botën, ish i riu tani dyzet vjeç, vendosi të hidhet përsëri në botën e biznesit, kësaj here në fushën aeronautike, së bashku me mikun e tij dhe bashkëthemeluesin e Minecraft dhe Ernest Airlines, Jakob Pòrser.

Në vitin 2015 me një grup miqsh dhe bashkëpunëtorë italianë, të gjithë sipërmarrës të rinj në botën e teknologjisë, ai themeloi Ernest Airlines, me emrin e gjyshit të tij, një kompani ajrore me kosto të ulët që operon që nga viti 2017, e cila fillimisht u specializua në fluturime nga Italia në Shqipëri dhe më pas zgjeroi rrjetin në Ukrainë dhe Rumani.

Shoqëria ajrore deri para pak ditësh e lidhte Italinë e Shqipërinë me 9 fluturime në ditë.
Intervista e lëshuar nga Ilza Xhelo në “Il sole 24 ore” në muajin qershor 2019-të tregon për ambiciet e mëdha të kompanisë për tu zhvilluar.

“Rritja e kompanisë me qendër në Milano që punëson 70 persona ka qenë e ngadaltë, por e qëndrueshme: me një flotë prej katër Airbus A319 / 320, Airbus të ri 320neo dhe 3 A320 të tjerë që mendohet të shtohen në vitin 2020, sot ka lidhje të përditshme me Kyiv , Lviv, Kharkiv dhe Odessa në Ukrainë dhe Tirana në Shqipëri nga 9 qytete italiane, Milano, Bergamo, Roma Napoli Pisa, Bologna, Verona, Venecia, Xhenova. Lidhja e re javore Napoli-Tiranë është gjithashtu duke u zhvilluar”- citohet në intervistë.

Por “Fly Ernest”-it, për shkak të borxheve të shumta dhe parregullsive, i është pezulluar licenca nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil më 29 dhjetor dhe nga 11 janari ka ndërprerë të gjitha fluturimet duke përfshirë edhe ato të Shqipërisë, e duke krijuar panik tek mijëra qytetarë.

Një makth i tillë është përjetuar në Shqipëri në tetor 2013, kur i njëjti skenar identik është përsëritur për kompaninë “Belle Air”, kur 53.000 pasagjerë u mashtruan për shkak të falimentimit misterioz të shoqërisë, që solli arratisjen e dy pronarëve jashtë vendit dhe të linin pas 56 milionë euro.

Pronari i “Belle Air”-it quhet Ilir Xhelo dhe administratori i kompanisë është Arbi Xhelo.
Investigimi ka zbuluar një dokument se Ilir dhe Arbi Xhelo janë përkatësisht babai dhe vëllai i vajzës së re Ilza Xhelo, e cila tani në mënyrë misterioze ka arritur të jetë në krye të kompanisë “FlyErnest” dhe kështu e implikuar edhe në këtë mashtrim të dytë në dëm të shqiptarëve.

“E themeluar në vitin 2005, pak muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, me Lulzim Bashën ministër Transporti, “BelleAir” është përfolur për shumë vite si një kompani e lidhur me Partia Demokratike. Te gjithë e kujtojnë mes të tjerash një ofertë biletash falas për shqiptarët që duhej të vinin në Shqipëri për të votuar Lulzim Bashen si kryetar të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet e vitit 2011”- citohet në investigim.

Pavarësisht regjimit të monopolit me të cilin ka punuar për rreth 8 vite, ''BelleAir'' kishte mbledhur një borxh prej 56 milion euro me Drejtorinë e Tatimeve dhe me furnitorë nga më të ndryshmit. Kompania e fluturimeve ‘Belle Air’ me pronar Ilir Xhelon, u shiti 52 mijë bileta shqiptarëve, mori lekët dhe ia mbathi deri Italisë. Qytetarët që kishin blerë biletat dyndën drejt dyerve të kompanisë, ku kërkonin kthimin e parave mbrapsht.

Por, në 24 nëntor të 2013, kompania më e madhe ajrore në atë kohë në vend, me një xhiro vjetore prej rreth 110 milionë euro, shpalli falimentimin. Në shtator 2006, Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar, me urdhër të ministrit të Transportit Lulzim Basha, urdhëroi pezullimin e licencsës të konkurrentit të vetëm të ''Belle Air'-it', kompania ''Albatros Airways'': shkaku i bllokimit ishte një borxh prej 400.000 dollarësh. Një pikë ujë në krahasim me detyrimet dhjetëra milionë eurosh që në vitet në vazhdim “BelleAir” ka grumbulluar ndaj Shtetit pa pasur asnjë shqetësim nga institucionet.

Në 15 tetor të 2015, gati dy vjet pas mashtrimit dhe falimentimit të ‘Belle Air’, themelohet në Itali kompania ajrore ‘Fly Ernest’. Ilza Xhelo zyrtarisht është shefja e departmentit tregtar dhe financiar, por prezanton veten si bashkëthemeluese e kompanisë së fluturimeve dhe flet për planet ambicioze në të ardhmen duke folur tamam si një nga bashkpronare, duke forcuar kështu dyshimet se pas ‘Fly Ernest’ fshihet familja Xhelo dhe ndoshta edhe lekët e fituara nga falimenti i ''BelleAir''-it .Kompania ‘Fly Ernest’ nisi fluturimet në Shqipëri në vitin 2016. Në ceremonë në Rinas përballë avionit të ‘Fly Ernest’, Ilir Xhelo shfaqet shumë i gëzuar me duart lart.

Historia e mashtrimit përsëritet. Edhe pse Autoriteti i Aviacionit Civili italian i ka pezulluar licencën duke filluar nga data 13 janar, kompania ajrore "Fly Ernest" ka ndaluar fluturimet që nga 11 janar. Për pezullimin e fluturimeve, "Fly Ernest" ka informuar Autoritetin e Aviacioni Civil Shqiptar.

Të gjithë pasagjerët tani duhet të bëjnë aplikimin për rimbursim të çmimit të biletës tek faqja zyrtare e kompanisë’. Një procedurë e ngjashme me atë që kishte filluar “BelleAir” dhe që vazhdoi disa javë deri në shpalljen e falimentimit.

Atëherë rimbursimi u ndërpre dhe miliona euro të arkëtuara nga familja Xheko u zhdukën. Pavarësisht precedentit, as autoritetet italiane ku është regjistruar kompania “FlyErnest”, as autoritetet shqiptare, nuk kanë mundur ta parandalojnë mashtrimin e dytë, ndërsa Prokuroria nuk ka mundur të ndëshkojë dhe konfiskojë pasuritë e Ilir Xhelos. Të paktën deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë